Nga Borussia e Dortmundit, Napoli, Tottenham Hotspur e deri tek Liverpooli, Besiktasi apo Monaco, janë këta disa nga kundërshtarët e mundshëm të Skënderbeut në shortin e fazës së grupeve të Europa League që do të hidhet sot në Montecarlo.
Me eliminimin nga Championsi nga Dinamo e Zagrebit kampionët e Shqipërisë për herë të parë në histori kanë siguruar pjesëmarrjen në fazën e grupeve të një kompeticioni europian. Duke qenë se korçarët luajnë për herë të parë në një nivel kaq të lartë në shortin e të premtes, Skënderbeu do të pozicionohet në vazon e 4-t, pasi është një nga skuadrat me koeficentin më të ulët që merr pjesë në fazën grupeve të Europa League. Në këtë mënyrë kampionët tanë rrezikojnë të peshkojnë tre rivalë të frikshëm.
Në vazon e parë do të bëjnë pjesë 12 ekipe të cilat do të shpërndahen në 12 grupe të ndryshme. Emri më sugjestionues për të besuarit e Mirel Josës nga kjo vazo është Borussia e Dortmundit, e cila më parë duhet të eliminojë në play-off norvegjezët e Odd Grenland, por skuadra të një shkalle shumë të lartë vështirësie për korçarët janë edhe Schalke 04, Tottenham Hotspur, Baseli, Villareali, Napoli, Fiorentina dhe nënkampionët e Uefa Europa League, ukrainasit e Dnipros.
Edhe në vazon e dytë bëjnë pjesë emra të frikshëm të futbollit europian. Nëse Skënderbeu dëshiron të shpresojë sadopak te një kualifikim i mundshëm përtej fazës së grupeve duhet të evitojë me çdo kusht Liverpoolin, por nga ana e marketingut The Reds do të ishin një rival shumë i mirë. Gjigantët anglezë kanë një koeficent jo shumë të lartë dhe në short do të vendosen në vazon e dytë, ashtu si edhe Besiktasi, Celtic, apo edhe AZ Alkmaar, PAOK-u i Selanikut, Salzburgu dhe Vikoria Plzen, gjithmonë nëse këto 4 të fundit kalojnë me sukses fazën play-off.
Edhe në vazon e tretë pritet të jetë një emër i frikshëm si Monaco, edhe pse gjithçka do të varet nga ecuria e disa skuadrave në play-off. Nëse pjesa më e madhe e emrave të mëdhenj e kalojnë me sukses këtë raund, francezët të sapo eliminuar nga Champions League do të vendosen në vazon e tretë. Të tjera klube që nuk duhen nënvlerësuar dhe që bëjnë pjesë në këtë vazo janë edhe Lokomotiva e Moskës, Augsburgu dhe Rapidi i Vienës.
Për Skënderbeun të gjithë këta kundërshtarë që sapo përmendëm janë të një niveli superior në krahasim me korçarët, megjithatë një grup ferri për kampionët e Shqipërisë do të konsiderohej nëse në short kapin Borussian e Dortumundit ose Napolin nga vazo e parë, Liverpoolin nga vazo e dytë dhe Monacon nga vazo e tretë, diçka që ka pak gjasa të ndodhë, por kurrë mos thuaj kurrë. Çfarëdo që të ndodhë në grupet e Europa League korçarët e kanë shkruar tashmë historinë. Minimalisht edhe 6 ndeshje të tjera në Europë përballë kundërshtarëve të këtij niveli është një arritje e jashtëzakonshme për një skuadër shqiptare, një ëndërr e bërë realitet nga Skënderbeu.

Bravo Skenderbeu, kjo eshte hyrje ne Urop, jo do na marin n Urop, apo sdo na marin n Urop, gjerat e tjera vijne vete pastaj!