Skënderbeu, nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa dhe përgatitësit atletik Iris Selimi, ka zhvilluar dje pasdite, tek anekset e stadiumit, një seancë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për sfidën e javës së 28-të të Kategorisë Superiore, ndaj Vllaznisë. Futbollistët kanë kryer ushtrimet aerobike dhe fizike nën mbikëqyrjen e përgatitësit Iris Selimi, ndërsa në përfundim të seancës trajneri Mirel Josa ka dhënë dhe disa instruksione për ndeshjen e radhës në kampionat.
NIMAGA
Mesfushori nga Mali vijon fazën rikuperuese. Për një moment dëmtimi i 21-vjeçarit u mendua më i rëndë nga çfarë dukej, por rikuperimi po ecën pozitivisht. Inflamacioni në kofshën e djathtë po zhduket dhe mesfushori mendohet të jetë gati për t’u ingranuar plotësisht me grupin tjetër të lojtarëve javën e ardhshme.
MUNGESAT
Përveç mesfushorit Bakary Nimaga, ndaj Vllaznisë do të mungojnë Hamdi Salihi dhe kapiteni Bledi Shkëmbi. Bomberi shkodran vijon fazën rikuperuese në Athinë. Rikuperimi po ecën pozitivisht dhe sulmuesi pritet të jetë i gatshëm për trajnerin Mirel Josa javën e ardhshme. Përsa i përket Shkëmbit, kapiteni ka pësuar një kontraktim në seancën e djeshme stërvitore dhe do të jetë pushim përreth 1 javë. Skënderbeu do të presë në Korçë kuqeblutë e Cungut. Kuqebardhët kryesojnë kampionatin pas tri fazash kampionat, të ndjekur nga Partizani me 4 pikë më pak.
