Skënderbeu, në Odesa për të mbytur “marinarët”

redaktor

Skënderbeu ka mbërritur në Odesa me qëllim që të mbysë “marinarët” e Çernomoretsit dhe të hedhë një hap përpara drejt kualifikimit. Trajneri i kampionëve të Shqipërisë, Mirel Josa, ua ka bërë të qartë ukrainasve se e njeh mirë kundërshtarin dhe forcën e tij, por skuadra e tij nuk druhet dhe do të kërkojë më të mirën. “E kam studiuar Çernomoretsin në disa video dhe është e qartë që bëhet fjalë për një skuadër shumë të fortë. Tani i dimë lojtarët kryesorë, unë do të veçoja Antonion dhe Rieran, plus që këtu luajnë edhe dy lojtarë të kombëtares së Shqipërisë, Vangjeli e Bakaj”, tha Josa. “Çernomorets është skuadër shumë e ekuilibruar dhe kompakte, por ne kemi ardhur këtu për të marrë rezultat pozitiv. Duam të kualifikohemi dhe një rezultat këtu do të ishte një hap i madhe, edhe pse besoj se do të duhen të dyja ndeshjet për të vendosur se kush do të shkojë në fazën e grupeve”.

 

Çernomorets, trajneri qëndron me këmbë në tokë

Trajneri i Çernomoretsit, Roman Grigorçuk, nuk ushqen asnjë iluzion se përballë kampionëve të Shqipërisë mund të ketë një ndeshje të lehtë. Skuadra e Odesës pret sot në mbrëmje Skënderbeun, të cilin ai e vlerëson si një kundërshtar serioz. “Është e vërtetë që ka diferenca midis vendeve në futboll, dikush ka nivel më të lartë e dikush më të ulët. Por këto stereotipe shpeshherë nuk gjejnë vend në skuadrat kampione. Skënderbeu është një kundërshtar serioz dhe mjaft i fortë. Kujtoj se ka eliminuar Neftchi Bakú, ndërkohë që u eliminua nga Shahtjor Karaganda, një skuadër që sapo ka mundur Sëlltikun”, tha Grigorçuk në konferencën e djeshme për shtyp. “Jemi duke u përgatitur me seriozitetin më të madh. As pyetje nuk dua të dëgjoj nëse e kemi vlerësuar drejt kundërshtarin”. Pasi i ka dhënë meritat skuadrës shqiptare, trajneri ukrainas hedh poshtë çdo insinuatë se ndoshta ai i druhet Skënderbeut: “Jo, ne i dimë shumë mirë forcat tona. Çernomorets është skuadër e fortë, por kjo nuk do të thotë që të nënvlerësojmë kundërshtarët apo që ta kemi të garantuar fitoren me Skënderbeun. Shqiptarë bëjnë futboll kolektiv, të organizuar në mbrojtje dhe të saktë në kundërsulm”. Grigorçuk është i lumtur nga fakti që ai ka mundësi pothuajse të plota zgjedhjeje, pasi i ka në dispozicion të gjithë lojtarët, me përjashtim të Elis Bakajt, ende i dëmtuar.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *