Mirel Josa është i kënaqur me paraqitjen e bërë nga Skënderbeu në Korçë, por paralajmëron se është kryer vetëm gjysma e punës dhe asgjë nuk ka përfunduar. Trajneri i kampionëve është i vetëdijshëm se ndeshja e kthimit mund të përfundojë në favor të secilës prej skuadrave. “Nuk është vetëm rezultati që më ka kënaqur, por edhe loja. Megjithatë, nuk duhet të eksitohemi tej mase, pasi duhet ta përfundojmë në Korçë atë që nisëm në Bakú”, thotë trajneri. “Secila prej skuadrave mund të fitojë, çdo rezultat është i pranueshëm në futboll”. Me forcën e kundërshtarit Josa ka shpjeguar edhe tërheqjen në gjysmën e pjesës së dytë, duke sqaruar se nuk bëhej fjalë për lodhje fizike.
“Fizikisht ishim mirë, por Neftchi u hodh me të gjitha forcat përpara, duke na detyruar të mbroheshim”. Nga Azerbajxhani nuk kanë reshtur akuzat për lojën mbrojtëse të Skënderbeut, por Josa e sheh në një tjetër këndvështrim. “Në pjesën e parë krijuam disa raste, por duhet pranuar që luajtëm ndaj një kundërshtari tepër të fortë. Për këtë arsye, nuk mund të hapeshim në mënyrë të panevojshme”, analizon trajneri shqiptar, që i përgjigjet edhe një tjetër akuze, asaj të vonesave të lojës: “Nuk u kam kërkuar kurrë lojtarëve të mi që të vonojnë lojën.
Bëjmë gjithmonë lojë të ndershme dhe përpiqemi të luajmë futboll në fushë”. Në ndeshjen e kthimit, Skënderbeut i duhet të sulmojë më tepër se në Bakú, pasi duhet të shënojë patjetër, megjithatë Josa thotë se skuadra nuk do të ç’balancohet, pasi një gol i pësuar mund të rezultojë fatal. “Na duhet fitorja, megjithatë nuk do të hidhemi në aventurë. Nëse pësojmë, mund të jetë fatale për ne, sepse do të na duhen të shënojmë patjetër dy”. Josa shpreson shumë se me mbështetjen e tifozëve Skënderbeu do të dijë të imponohet në fushë dhe të marrë fitoren që do ta kualifikonte në raundin tjetër.