Skënderbeu nuk gabon në start, “poker” Elbasanit

redaktor

Skënderbeu përmbushi parashikimet duke fituar në sfidën e parë të 2015-ës, ndaj Elbasanit me rezultatin 4-1. Golat e Olayinkës, Vangjelit, Berishës dhe Nimagas vulosën suksesin e korçarëve duke bërë të pavlefshëm dhe finalizim e Agboyit. Në katër përballjet e fundit, Skënderbeu kishte fituar gjithmonë 1-0 ndaj Elbasanit, përfshirë dhe dy sfidat e fazës së parë. Ashtu si statistikat dhe peshorja e forcës anonte dukshëm ndaj Skënderbeut, gjë që u konfirmua dhe në fillimin e takimit, teksa që në minutën e 7-të Olayinka kaloi përpara korçarët pas një gabimi të Pishës.

Në epërsi Skënderbeu e kishte gjithçka të thjeshtë, aq më tepër që Elbasani nuk kishte as tifozët për t’i nxitur drejt një kthimi të rezultatit. Korçarët vazhduan të rrezikonin dhe në të 16-ën ishte Berisha që goditi nga një pozicion i prirët, por topi përfundoi në goditje këndi. Në të 25-ën, golit ju afrua dhe Arapi me kokë, por goditja e tij përfundoi jashtë. Gjithsesi dyfishimi i shifrave nuk vonoi, pasi në të 34-ën, Olayinka në kundërsulm shërbeu saktë për Vangjelin, që realizoi golin e tretë sezonal.

Menjëherë pas finalizimit Vangjeli u zëvendësua për shkaqe fizike duke i lënë vendin Jashanicës. Pjesa e parë u mbyll me këto shifra ndërsa dhe në pjesën e dytë ishte Skënderbeu më këmbëngulës, aq sa në të 63-ën, Bernard Berisha shënoi dhe golin e tij të parë me fanellën e Skënderbeut.

Elbasani megjithatë arriti ta dhuronte një moment magjik, në të 67-ën me Ardit Hilën, që pasi dribloi të gjithë me radhë ishte pa fat në finalizim me topin që u ndal në traversë duke shërbyer si asist për Agboyin, që e dërgoi në fundin e rrjetës duke ndëshkuar pikërisht ekipin nga i cili është huazuar.

Në minutat e mbetura, Skënderbeu shënoi dhe golin e katërt me Nimagën për rezultatin përfundimtar 4-1. Tre pikë që i lejojnë korçarëve të parakalojnë në renditje dhe Tiranën e Partizanin.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *