Skënderbeu, përgatitje pa zhurmë për Çernomorets

redaktor

Skënderbeu gjendet përpara një misioni të vështirë, por jo të pamundur, për të hyrë në fazën e grupeve në Europa League. Kampionët e Shqipërisë, pas eliminimit nga Champions League, marrin pjesë në play-off në kompeticionin e dytë evropian dhe të enjten duhet të përmbysin humbjen minimale të pësuar në Odesa të Ukrainës nga Çernomorets. Në kampin korçar janë të vetëdijshëm që këto 90 minuta mund të shkruajnë historinë, ndaj vlerësimi për përballjen e dytë me ukrainasit është maksimal. Trajneri Mirel Josa ka vendosur ta përgatisë këtë sfidë në qetësi të plotë, madje deri një ditë para ndeshjes do të ketë heshtje për shtyp. Vetëm në konferencën e detyrueshme për shtyp një ditë para takimit Josa do të ketë komunikimin e fundit me median. Trajneri tiranas duhet të bëjë disa rregullime në formacion, në funksion të një loje sulmuese, pasi Skënderbeut i duhet patjetër fitorja, madje me dy gola diferencë, nëse dëshiron të kualifikohet brenda 90 minutave. Për korçarët do të rikthehet kapiteni Bledi Shkëmbi, i cili mungoi në përballjen e parë për arsye dëmtimi. Trajneri Josa ka deklaruar në edicionin e lajmeve në Supersport se Shkëmbi i ka të gjitha mundësitë të luajë, ndonëse me saktësi do të mësohet vetëm ditën e ndeshjes. Në sulm është e sigurt mungesa e kroati Pero Pejiç, i pezulluar pasi goditi me kokë kundërshtarin në ndeshjen e kthimit me Shahtjor Karagandi. Andi Ribaj mbetet zgjedhje e parë në këtë repart, por alternativa të tjera përkrah 23-vjeçarit fierak janë Morina, Abazi dhe Muzaka.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *