Reagimi i klubit të Skënderbeut pas një postimi të gjatë të sulmuesit Sebino Plaku në rrjetin social Facebook kundër Mirel Josës ka qenë i menjëhershëm.
Drejtuesit e kampionëve në fuqi të Superiores kanë vendosur pezullimin pa afat të 30-vjeçarit, për reagimin e tij të papërshtatshëm ndaj trajnerit kryeqytetas, i cili nuk e preferon në formacion.
Plakut i është komunikuar këtë të hënë vendimi për pezullimin, e për rrjedhojë nuk ka qenë i pranishëm në seancën e parë stërvitore të javës në kuadër të përgatitjeve për sfidën e shtëpisë me Teutën.
Sulmuesi që u mor në merkaton e janarit nga Partizani është aktivizuar vetëm 15 minuta në kampionat, ndaj Vllaznisë dhe Kukësit, dhe në të dy rastet është hedhur në fushë si zëvendësues.
Përtej faktit se nuk ka patur hapësira në formacionit, për futbollistin ka qenë e papranueshme deklarata e trajnerit Mirel Josa në “Zona Gol”, duke e etiketuar si lojtar alternativë. Sipas tij, deklarata e Mirel Josës është ofenduese për të, pasi një trajner i ka të gjithë lojtarët të barabartë, edhe pse në formacion nuk luajnë të gjithë.
Në këtë çështje, duket qartë se presidenti Ardian Takaj është pozicionuar në favor të trajnerit, duke e pezulluar për një afat të pacaktuar lojtarin.
Vetë rezultatet dhe ecuria e skuadrës e detyrojnë ta përkrahë Josën, por edhe për t’u dhënë një mesazh futbollistëve të tjerë se vendimet e trajnerit janë të padiskutueshme dhe askush nuk duhet t’i vërë në diskutim.
