Kupa e Shqipërisë – Skënderbeu do të presë sot Kukësin, në ndeshjen e dytë për Grupin A çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Të dyja skuadrat vijnë pas fitoreve në takimet e para dhe sot mund të hedhin një hap të madh drejt kualifikimit. Kampionët dhe kryesuesit e kampionatit i kanë treguar hapur ambiciet për të triumfuar në dy fronte, aq që më tepër që Kupën e Shqipërisë Skënderbeu nuk e ka fituar asnjëherë. Trajneri Mirel Josa do të hedhë në fushë formacionin më të mirë, për të marrë gjashtë pikët të plota nga dy ballafaqimet e para. Skënderbeu synon finalen e pestë, ndërkohë që në katër të parat, ato në edicionet 1958, 1964/65 1975/76 dhe 2011/12, nuk ka mundur ta ngrejë trofeun. Kukësi, skuadra që eliminoi fituesen në fuqi të Kupës, Tiranën, humbi në ndeshjen e kampionatit në Korçë, me rezultatin 2-0, por kuksianët e Cungut besojnë se ai takim tashmë u përket arkivave. “Blutë” e verilindjes kanë udhëtuar me synimin për të mos dalë pa pikë nga Korça, dhe synimi minimal i tyre është barazimi, çka do t’i mbante në vendin e dytë. Në ndeshjen tjetër, Kastrioti do të presë Shkumbinin. Të dyja skuadrat i humbën ndeshjet e para, ndërsa peqinasit e bënë publike se Kupa nuk është në objektivat e tyre. Humbja 4-1 me Skënderbeun në Peqin ishte dëshmia më e mirë. Kastrioti humbi ndeshjen e parë me Kukësin, por krutanët shpresojnë të arrijnë sërish në katër më të mirat e Shqipërisë, objektiv që e arritën edhe sezonin e kaluar. Në Krujë besojnë se do të jetë skuadra e tyre fituese e sfidës, kjo dhe për shkak të një grupi më cilësor që ka Kastrioti. Një fitore me Shkumbinin do të ishte një garanci më shumë për të qenë më të qetë përballjen me Skënderbeun në javën e tretë të çerekfinaleve.