Skënderbeu rend pa rivalë, Laçi në zonën evropiane

anazapta

Kampionët fitojnë në Gjirokastër, kurbinasit bëjnë rokadë me Teutën. Suksesi i parë për Apoloninë

 

Skënderbeu nuk njeh rivalë dhe marshon pa pengesa drejt titullit kampion, ndërkohë që tashmë është kampion i dimrit, matematikisht i pakapshëm për këtë fazë nga ndjekësit më të afërt, që janë Kukësi e Laçi. Dje korçarët kanë fituar 1-0 në Gjirokastër, me golin e Sebino Plakut. Luftëtari kërkoi t’i vihej Skënderbeut pa u druajtur nga emri i kampionëve, por gjithçka ishte e kotë, sepse ligjin në fushë e bëri skuadra e Mirel Josës. Shkëmbi, Plaku e Pejiç ishin përherë një nivel më lart vendasve, të cilët provuan me të gjitha mënyrat, por përpjekjet e tyre u ndalën pa shumë probleme nga miqtë. Bici e Gvozdenoviç janë të pakalueshëm, ndërkohë që sulmi shfaqet efikas. Përmes kundërsulmit të shpejtë e me pak pasime erdhi edhe goli i vetëm i ndeshjes.

 

Një krosim nga e djathta e sulmit shkon në zonën gjirokastrite, ku Liçaj ka tërë mundësitë për ta larguar me kokë, para se të ndërhynte Plaku e të shënonte. Kjo ndodh në minutën e 30-të, duke konfirmuar pjekurinë, qetësinë dhe qartësinë e dukshme taktike të skuadrës së Josës. Vlonjati Liçaj është fajtor në momentin e pësimit të golit nga Plaku, ndaj Martini e zëvendëson me Llukën, ndërsa në fillim të pjesës së dytë ka vend edhe për aktivizimin e Zholit, në vend të Rraboshtës. Vlen të përmendet minuta e 24-t e kësaj ndeshjeje, kur gjirokastritët kanë pretenduar për penallti, teksa topi i krosuar nga këndi kalon nëpër dorën e Pejiçit, i kthyer në mbrojtje, por gjyqtari Jorgji vazhdon lojën.  Përpjekjet e vendasve vazhduan edhe në pjesën e dytë, teksa i janë afruar portës së Shehit seriozisht, sidomos me goditjet standard, por pa e prekur dot rrjetën e tij. Skënderbeu qarkullon dendur topin dhe arrin ta ulë ritmin e kundërshtarit, shpeshherë edhe t’i nervozojë ata, duke administruar në mënyrë të zgjuar epërsinë e minutës së 30-të. Pa ndonjë shkëlqim të madh, por me shumë pragmatizëm, korçarët marrin tri pikët, ndërsa Luftëtari renditet në zonë e ftohtë.

 

Laçi kap Kukësin

Ndjekësit më të afërt të Skënderbeut janë një dyshe e pazakontë, Kukësi e Laçi, në kuotë të barabartë pikësh, nga 21. Laçjanët kanë mundur dje Teutën në një përballje rivalësh për zonën evropiane. Ata e kanë nisur në sulm lojën dhe kanë mbajtur nën kontroll thuajse tërë kohën, ndërkohë që miqtë i patën mundësitë e tyre për të shënuar. Që në minutën e nëntë Laçi shënoi me anë të Nimanit, i cili ndërhyri me shpejtësi pas gjuajtjes me kokë të Ndrekës. Pak minuta më pas, Laçi fiton një penallti, të cilën e gjuan Vucaj, por grushton Rizvani. Pjesa e dytë ka qenë edhe më e bukur, me sulme dhe kundërsulme të dy skuadrave. Teuta është më e orientuar drejt portës së Vashakut, në kërkim të barazimit. Por, goli i Nimanit mbetet i vetmi deri në fund dhe kurbinasit janë në vendin e tretë, duke bërë rokadë me Teutën.

 

Fiton Apolonia

U desh të vinte java e 12-të e kampionatit që Apolonia të arrinte fitoren e parë. Falë suksesit 2-1 kundër Besës, fierakët kanë kapërcyer Tomorin dhe janë afruar me Shkumbinin. Pjesa e parë e takimit u mbyll me epërsinë e kavajasve, falë golit të shënuar nga Sefa. Ndoni barazoi me penallti në minutën e 76-të, duke ngjallur shpresat për tri pikë. Synimi u arrit pesë minuta më vonë, kur Ribaj shënoi golin e dytë, të cilin vendasit e mbrojtën fort deri në fund.

 

Java e 12-të

Të shtunën

Kukësi-Kastrioti           3-1

Progni 25′, Popoviç 70′, Allmuça 89′ / Daja 3′

Bylis-Tirana         1-0

Bakiu 68′

Tomori-Shkumbini           0-0

Vllaznia-Flamurtari  3-3

Rexha 63′, 95′, Deliç 78′ / Osmani  27′ (a), Muzaka 31′, Pepa 53′

Dje

Luftëtari-Skënderbeu 0-1

Plaku 30′

Apolonia-Besa        2-1

Ndoni 76′, Ribaj 81′ / Sefa 25′

Laçi-Teuta           1-0

Nimani 9′

 

 

Renditja

1  Skënderbeu   30

2  Kukësi       21

3  Laçi         21

4  Teuta        20

5  Tirana       19

6  Bylis        18

7  Vllaznia     17

8  Besa         16

9  Flamurtari   16

10 Kastrioti    12

11 Luftëtari    11

12 Shkumbini    9

13 Apolonia     8

14 Tomori       6

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *