Skënderbeu ka fituar titullin kampion dy javë para përfundimit të kampionatit, pasi ka mundur 2-0 Kastriotin, me golat e shënuar nga Ditmar Bicaj dhe Sabien Lilaj. Çështja e titullit ishte mbyllur praktikisht që në dhjetor, kur skuadra korçare u shkëput ndjeshëm, duke mos pasur rival të vërtetë. Kampionët e dy sezoneve të mëparshëm kishin një “match point” që në javën e kaluar, por u mundën në Vlorë nga Flamurtari, ndërsa Kukësi fitoi në Kavajë. Ishte e qartë që Skënderbeu nuk do të gabonte në fushën e tij, ku i mjaftonte edhe një pikë e vetme kundër Kastriotit. Korçarët e kërkuan që në fillim golin, por tifozëve entuziastë iu desh të prisnin deri në minutën e 38-të, për të parë golin e shënuar me kokë nga Bicaj, në ndihmë të sulmit gjatë një goditjeje nga këndi. Titulli duket i sigurt dhe festa ndizet plotësisht në stadiumin e Korçës, ku brohoritjet për skuadrën ishte të pareshtura. Në pjesën e dytë, Sabien Lilaj dyfishoi shifrat, ndërkohë që kampionët e sapokonfirmuar të vendit kërkuan të shënonin edhe gola të tjerë, pa ia arritur qëllimit. Gjithsesi, dy ishin mjaftueshëm për të bërë zyrtar domimin e plotë mbi një kampionat që në dy ekstremet e renditjes nuk ka pasur kurrë histori. Një “bravo” e madhe për kampionët e trefishtë të Shqipërisë, të cilët e kanë çuar në katër numrin e titujve të fituar në historinë e klubit, pas atij të fituar më 1933.
Klubi i tresheve
Skënderbeu bëhet skuadra e katërt në futbollin shqiptar që e fiton tri herë radhazi titullin kampion. Më parë e kishin fituar vetëm tri skuadrat e kryeqytetit, Tirana, Dinamo e Partizani, ndërkohë që asnjë skuadër rrethesh nuk e ka arritur më parë një gjë të tillë, edhe për shkak se, përveç Vllaznisë, kampionët e tjerë jashtë Tiranës e Korçës nuk kanë mundur të fitojnë më tepër se dy herë. Tri tituj radhazi nuk ndodhte që në periudhën 2002-2005, kur dominimi kishte ngjyrat bardheblut të Tiranës. Po ashtu, si kampion i trefishtë në fuqi, Skënderbeu është kandidati kryesor për të thyer rekordin 60-vjeçar të Dinamos, e cila, që nga themelimi i saj më 1950, deri më 1953 fitoi katër herë radhazi titullin kampion, gjë që deri tani nuk e ka arritur asnjë skuadër tjetër.
Shifrat e kampionëve
1
është skuadra jashtë Tiranës që fiton tri herë radhazi titullin, Skënderbeu, kampion i tre sezoneve të fundit.
1
fitore e marrë në tavolinë, kundër Bylisit, pasi kishte barazuar në fushë 2-2, luajtur në Korçë.
2 janë titujt e fituar nga Mirel Josa si trajner, pas atij të fituar më 2004 me Tiranën.
3
tituj radhazi të fituar nga Skënderbeu. Nuk ndodhte që më 2005, kur Tirana dominonte skenën e futbollit.
3
humbje të pësuara deri tani, më pak nga të gjithë, por Kukësi ka 4, Flamurtari e Teuta nga 5.
4
tituj kampion të fituar në histori nga skuadra korçare, pas suksesit të arritur më 1933.
5
ndeshje radhazi pa pësuar gol, nga java e katërt deri në të tetën, ku arriti katër fitore e një barazim me Tomorin.
8
herë ka fituar 2-0, që është rezultati i arritur më shpesh nga Skënderbeu, i ndjekur nga tri fitore 1-0.
10
gola të pësuar, duke qenë dukshëm skuadra me mbrojtjen më të mirë. Kukësi e ka nxjerrë 21 herë topin nga rrjeta.
13
ndeshje pa humbje, e gjithë faza e parë, deri në takimin me Vllazninë në Korçë, humbur 0-1.
14
ndeshje ku e ka ruajtur të paprekur rrjetën, duke mos llogaritur këtu fitoren 3-0 në tavolinë kundër Bylisit.
17
fitore në 24 javë, më tepër se të gjithë dhe të paarritshëm në dy javët e mbetura.
19
ndeshje në të cilat ka shënuar e pakta një gol, duke mos e gjetur portën kundërshtare vetëm në 5 javë.
39
është numri i golave të shënuar, i vetmi tregues ku Skënderbeu nuk është më i miri. Flamurtari ka shënuar 45.
55
pikë të fituara në 24 javë, mesatarisht 2.29 për ndeshje, i shkëputur me 12 të tilla nga vendi i dytë.
Kampionati i Skënderbeut
Vllaznia-Skënderbeu 1-3
Skënderbeu-Apolonia 2-0
Bylis-Skënderbeu 1-1
Skënderbeu-Laçi 3-0
Tomori-Skënderbeu 0-0
Skënderbeu-Shkumbini 2-0
Teuta-Skënderbeu 0-2
Skënderbeu-Tirana 2-0
Besa-Skënderbeu 1-1
Kastrioti-Skënderbeu 1-2
Skënderbeu-Flamurtari 3-1
Luftëtari-Skënderbeu 0-1
Skënderbeu-Kukësi 2-0
Skënderbeu-Vllaznia 0-1
Apolonia-Skënderbeu 0-1
Skënderbeu-Bylis 3-0 (t)
Laçi-Skënderbeu 0-2
Skënderbeu-Tomori 4-2
Shkumbini-Skënderbeu 0-1
Skënderbeu-Teuta 0-0
Tirana-Skënderbeu 1-0
Skënderbeu-Besa 2-0
Flamurtari-Skënderbeu 1-0
Skënderbeu-Kastrioti 2-0
Skënderbeu-Luftëtari
Kukësi-Skënderbeu

Shkallet e stadiumit per publikun te stadiumit Skenderbeu,jane si mos me keq!
Te jesh kampion 3 here radhazi duhet investuar edhe per stadiumin,qe me kto shkalle nuk permbush kerkesat e nje pjese te qytetit,me spektatore e spordashsit korcare!
Te duket ne krahasim me stadiumet ne vendet perendimore,sikur doli kampion nje fshat!