Kampionët e Shqipërisë falë një tregolëshi të të përhershmit Hamdi Salihi, një perle të Marko Radas dhe finalizimit të Xhejms likujduan me rezultatin e thellë 5-1 vlonjatët në Korcë duke ruajtur avantazhin prej 4 pikësh ndaj Partizanit ndjekës në krye të klasfikimit edhe pas përfundimit të fazës së tretë.
Kampionët që arritën të zhbllokonin shifrat pas 13 minutash. Mbrojtësi kroat Marko Radas ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje standarte nga rreth 25 metra distancë duke mposhtur Ilion Likën.
Në të 37-tën, një vendim i dyshimtë i gjyqtarit Remzi Sadiku ndryshoi disi rrjedhën e këtij takimi me Flamurtarin që arriti të fitonte një penallti për një prekje me dorë brenda zone të Jashanicës pas një krosimi të Lushtakut.
Nga pika e bardhë Lushtaku nuk fali duke barazuar rezultatin.
Korçarët arritën të gjenin epërsinë 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë me të përhershmin Hamdi Salihi. Bomberi shkodran pas një harkimi të Radas nga këndi i vodhi kohën brazilianit Danilo Alvesh duke goditur saktë me kokë për golin e 2-1. Në të 58-tën provoi edhe Lilaj por goditja e tij nuk gjeti portën për shkak edhe të një devijimi.
Pikërisht në ekzekutimin e kësaj goditjeje këndi Skënderbeu fitoi një 11-metërsh për një prekje të topit me dorë brenda zone nga ana e Besnik Krasniqit. Nga pika e bardhë Salihi u tregua i saktë duke i çuar shifrat 3-1 dhe duke realizuar kështu golin e tij të 23-të në këtë kampionat. Loja u bë akoma edhe më e bukur gjatë minutave në vazhdim me raste të shumta nga të dy krahët.
Disa sekonda më pas, iu servir një gol nigerianit Xhejms Adeniyi. 4-1 për Skënderbeun. Por korcarët nuk u mjaftuan me kaq pasi Salihi shënoi edhe golin e 5-të për Skënderbeun dhe të tretin personal në minutën e 89-të, duke cuar në 24 numrin e rrjetave në këtë sezon.
