Skënderbeu spektakolar, e mund edhe Laçin 4-0

redaktor

Olayinka nuk do të jetë pas janarit te Skënderbeu, por ndërkohë që është në fushë, sulmuesi nigerian vazhdon të bëjë më të mirën e tij duke shkëlqyer dhe ndaj Laçit me 1 gol e dy asist, që i zgjidhin ndeshjes skuadrës korçare përballë kurbinasve duke fituar 4-0.

Salihi me dy gola dhe Berisha lanë vulën e tyre për kampionët e Shqipërisë, të cilët regjistruan fitoren e 12-të në kampionat duke u afruar në 1 pikë nga Partizani, në pritje të rezultatit që të kuqtë do të bëjnë në derbi. Një sukses i rëndësishëm që tregon deri diku se Skënderbeu ka krijuar tashmë një institucion për futbollin shqiptar, si një skuadër që luan përmendësh pavarësisht emrave që zbresin në fushë. Aq më tepër që korçarët përballë Laçit nuk e kishin pasur asnjëherë të thjeshtë dhe për këtë arsye Josa kërkonte impenjim maksimal nga të tijtë. Përgjigja erdhi me një ndeshje super nga ana e korçarëve që në pjesën e parë e mbyllën në gjysmëfushën e tyre skuadrën kurbinase duke koleksionuar madje një seri rastesh me Prognin, që i afrohet golit në minutat 7 dhe 19-të. Në të 25-n Skënderbeu më në fund arrin të zhbllokohet falë Olayinkës, që me çantat gati për kalimin te Gent vazhdon të bëjë punën e tij te korçarët duke dërguar topin në rrjetë.

Oreksi vjen duke ngrënë dhe oreksi i Skënderbeut në këtë rast matet me gola, të cilët pas të parit arrijnë të gjejnë menjëherë të dytën, me Olayinkës që mbështet mirë për Salihin, goditja e të cilit devijohet te njeriu-autogol, Stipe Buljan. Aksionet e korçarëve vazhdojë deri në përfundim të pjesës së parë, ku Progni dhe Lilaj i afrohen sërish golit të 3-të. Dhe në pjesën e dytë nuk ndryshon shumë në ndeshje me Skënderbeun që vazhdon të dominojë. Megjithatë në minutën e 54-t ka pretendime nga ana e lojtarëve laçianë, të cilët madje zihen në kundërsulm dhe për pak sa nuk ndëshkohen nga Progni. Gjithsesi golat për Skënderbeun nuk kishin përfunduar pasi në të 60-ën, Bernard Berisha shënoi dhe golin e 3-të i shërbyer sërish nga Olayinka.

Por nëse Olayinka servirte asist, Salihi nga krahu tjetër mendonte të shënonte siç bëri në të 73-ën i shërbyer nga Berisha duke çuar në 4-0 rezultatin. Këto ishin dhe shifrat përfundimtare të ndeshjes, me Skënderbeun që mundi me më shumë lehtësi seç pritej një kundërshtar të fortë si Laçi duke treguar sërish se dhe pesë tituj radhazi nuk e kanë “shuar” urinë e korçarëve për të fituar sërish.

Share This Article
1 Comment
  • SKENDERBEU EKIP HISTORIK.
    ^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^
    Ekipi i Skenderbeut me progresin e tij,behet promotor per gjithe ekipet e atdheut.Duke pasur nje ekip te tille, gjithe skuadrat e Shqiperise, shohin ku jane, c’te meta kane,i korigjojne ato, per te konkuruar vertet me Skenderbeun.
    Ndryshe pa Skenderbeun, ekipet mund te fantazojne shume dhe ne fund humbin ndeshjen.
    Me rivalitet te Skenderbeut, ekipet e tjera nxiten te marin eksperiencen e Skenderbeut.Keshtu rivaliteti me baze nderin e futbollistit ne loje, do krijoje ne atdhe skuadra si te Gjermanise qe, luajne me nder,dituri,urtesi,dashamiresi,dhe fitojne admirim boteror.
    Urime stafit te Skenderbeut, lojtreve, trainerit,sponsorizonjesve,dhe tifozeve me edukate kur shohin kete ekip, qe hyri ne historuine e futbollit shqiptar. Mos haroni,edukata e ekpit dhe e spektatoreve ne c’do ndeshje ,nderon gjithe qytetin.Qeverite qe japin fonde rethit te Korces per progres, ne c’do drejtim, do dalin me fitime.Mos ja coptoni fondet ketij rethi,si bente saliu me Korcen dhe Beratin,keto rethe jane si toke pjellore,qe heth faren dhe frutifikon.12/’7/2015-te SHBA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *