Skënderbeu sundon, i vetëm në krye

anazapta

Skënderbeu arriti një fitore të merituar kundër Partizanit dje në Korçë, megjithatë rezultati është një faturë tepër e shtrenjtë për të kuqtë, të cilën pësuan tri herë pa shënuar asnjë. Kampionët i ngjitën të vetëm në krye të renditjes, falë një paraqitjeje bindëse me skuadrën e rikthyer në Kategorinë Superiore, por dy prej golave i shënuan në kohën shtesë.

Partizani nuk bëri mjaftueshëm për të marrë të paktën një pikë dhe mund të ketë ankesa vetëm se ndoshta nuk e meritonte diferencën në rezultat. Fillimi i lojës ishte i furishëm për vendasit, të cilët synonin të shfrytëzonin në maksimum humbjen e Teutës nga Kastrioti një ditë më parë. Brenda pak minutave krijuan disa raste dhe të kuqtë qëndruan në këmbë vetëm falë pritjeve të portierit Alban Hoxha.

Korçarët e arritën avantazhin e kërkuar kur Pejiç gjuajti me kokë pas një krosimi të Shkëmbit, duke mposhtur Hoxhën. Partizani nuk bëri pothuajse asgjë në pjesën e parë dhe ndoshta ishin vendasit ata që shkuan në dhomën e zhveshjes të pakënaqur që nuk krijuan një avantazh më të sigurt.

Në pjesën e dytë Partizani e ngriti nivelin e përpjekjeve, por pa qenë seriozisht kërcënues për portën e Shehit, ndërkohë që vendasit luajtën më qetësisht, duke u bazuar më tepër te kundërsulmi, çka u pasqyrua edhe në ndërrimet e bëra nga Josa. Në fundin e lojës, miqtë intensifikuan përpjekjet, por gjithashtu nxorën në pah edhe problemin e njohur tashmë, mungesën e një finalizuesi për rastet e krijuara.

Megjithatë, 1-0 mbetej një rezultat i pasigurt, derisa më në fund Ribaj shënoi edhe golin e dytë, në minutën e parë shtesë. Dy minuta më vonë, Pejiç shënon golin e dytë personal, duke i shkaktuar humbjen më të thellë Partizanit. Kampionët tani i kanë vënë në rresht të gjithë, duke marrë kreun e renditjes, megjithatë nuk ka shkëputje si ajo e vitit të kaluar dhe Teuta është vetëm tri pikë prapa, ashtu si dhe Vllaznia në rast fitoreje sot kundër Bylisit. Për Partizanin, edhe nëse shifrat ishin tepër të thella, përsëri kriza është e pranishme, pasi të kuqtë pësuan humbjen e tretë radhazi, madje pas shënuar gol në tre takimet e fundit.

 

Duel krize

Flamurtari ka bërë një kërcim të madh në renditje, teksa ka mundur Tiranën në “Selman Stërmasi” me dy gola të shënuar në pjesën e dytë nga Zeqiri, i pari me penallti. Bardheblutë shfaqën të njëjtën mungesë fuqie dhe gabime të shumta si në ndeshjet e mëparshme. Fituesi nuk shkëlqeu, megjithatë bëri të njëjtën gjë si në takimin e kaluar, kundër Kukësit, duke marrë pikët e vlefshme për të dalë nga zona e ftohtë. Në një terren të vështirë, goli i parë i miqve erdhi me penallti, pas faullit të Karabecit në zonë. Tri minuta më pas, Nijaz Lena doli me karton të kuq dhe Flamurtari u gjend në disavantazh numerik. Tirana u përpoq ta shfrytëzonte në maksimum dhe bardheblutë vendosën kontrollin në fushë. Por, ai që shënoi ishte përsëri Zeqiri që i dha sigurinë skuadrës së tij. Tani Flamurtari mban vendin e tetë, në pritje të ndeshjes së Kukësit sot. Tirana është e dhjeta, gjithashtu me shpresën që Kukësi të mos fitojë në Laç. Në vendin e fundit është Besa, e mundur minimalisht në Lushnjë me golin e shënuar nga Bjelkanoviç.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *