Skënderbeu-Tirana është edhe supersfida e javës së 25-të

redaktor

Kampionati ende nuk ka kristalizuar një pretendente absolute për trofeun, por sezoni po hyn në fazën e tij më deçizive atë të zgjidhjes së enigmave me të panjohurat e mëdha që do të mund të marrin një përgjigje që me kryendeshjen e javës së 25-të.

Në Korçë luhet Skënderbeu-Tirana, përballje e drejtpërdrejtë rivalësh për titullin. Skënderbeu vjen pas një fitoreje të mundimshme ndaj Teutës, bardheblutë fundjavën e bënë pushim të detyruar për shkak të shtyrjes së derbit, por për Tiranën që i duhet të japë një përgjigje pas dushit të ftohtë që pësoi në Laç malorja nis pikërisht tani. Trajneri i bardhebluve, Gugash Magani, nuk ka në dispozicion vetëm kapitenin Bulku, ndërsa ka të gatshëm Erando Karabecin dhe Debatik Currin.

Në kampin e Skënderbeut, Josa pritet të përgjigjet me të njëjtin formacion që mposhti Teutën. Këtë herë historia është gati për të shkruar. Të dyja skuadrat kur të zbresin në fushë do të jenë në dijeni të rezultatit të Kukësit kryesues që pret në shtëpi Teutën. Në kampin verilindor ndeshja përballë Apolonisë ka rezultuar një tërmet i vërtetë. Ajo që dihet është se ka kyçur gojën e Kukësit që ka vendosur heshtjen për shtyp, por mbetet për tu parë nëse ka dhënë shkundjen e duhur përballë bregdetarëve që shohin tu komplikohen pozitat nga java në javë. Presioni i Presidentit Gjici për të fituar me çdo kusht qëndron mbi kokën e skuadrës dhe nuk është çudi nëse trajneri Shaqiri do të paraqitet me ndryshime të rëndësishme në formacion.

Partizani i vendit të katërt shtegton në “Niko Dovana” për përballjen me Flamurtarin. Të kuqtë kanë rregulluar marrëdhënien me tifozët. Duro theu heshtjen pikërisht për tu bërë një thirrje që të mbështetur skuadrën dhe në këtë kontekst një fitore përballë vlonjatëve kërkohet me çdo kusht jo vetëm për klasifikimin ku nuk ka më vend për të gabuar me Laçin që është vetëm 3 pikë pas, por dhe si një hap që krijon atmosferën e duhur në skuadër pak ditë para derbit.

Në ndeshjen tjetër të kësaj të mërkure skuadra e Armando Cungut përballet me Vllazninë në Laç. Një sfidë ku kuqeblutë vijnë të trazuar nga dallgët e marrëdhënieve me trajnerin Raineri që pas përfundimit të muajit të mjaltit e shikon veten me një sërë armiqsh në ambientet e klubit. Për Laçin objektivi i vetëm është fitorja. Në kampin kurbinas Europa edhe nëpërmjet kampionatit tashmë është shumë më tepër se një ëndërr.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *