Kundërshtari i Skënderbeut në raundin tjetër, Kairat, është një skuadër vërtet e fortë dhe që synon edhe ajo nga ana e vet që të shkojë larg në kupat e Europës.
Por rivali i radhës nuk e tremb trajnerin Daja i cili në një prononcim për mediat është shprehur se ekipi është gati për këtë përballje.
“Është një përballje e vështirë dhe unë them se të dy ekipet i kanë shanset e tyre për të kaluar ne raundin tjetër. Sigurisht që kush do të gabojë më pak do të kalojë më tej.
Tani që erdhi momenti, nga dita e sotme do të mendojmë vetëm për Kairatin dhe kemi kohën e duhur për ta studiuar kundërshtarin. Edhe ata kanë fituar bindshëm në ndeshjet e para ndaj Atlantas dhe kanë lojtarë cilësorë në skuadër. Ndeshjen e parë e luajmë në Kazakistan dhe do të mundohemi shumë që të marrim që atje një rezultat pozitiv, në mënyrë që në ndeshjen e kthimit të tregojmë ato vlera që unë mendoj se i ka ky Skënderbe.
Pra, e rëndësishme është që në këtë ndeshje të parë skuadra të zbatojë detyrat që do t’u caktoj. Kemi disa ditë kohë për të përgatitur këtë 90- minutësh.
Duke qenë se ekipi në dy ndeshjet e para nuk ishte në 100% të formës, për vetë faktin se vinte nga faza përgatitore, tani mendoj se jemi në ritmin e duhur dhe do të kërkoj nga lojtarët që ta vlerësojnë që në këtë moment kundërshtarin, sepse pavarësisht se ndeshja luhet të enjten e ardhshme, për mua ka lluar që tani.”, U shpreh tekniku i bardhekuqëve.
