Skënderbeu vazhdon rutinën, Vllaznia në krizë totale

anazapta

Kampionët arrijnë fitoren e radhës, duke mundur Kukësin, shkodranët munden në Krujë, Teuta është e dyta

 

E shtuna ka qenë dita e skuadrave vendase në Kategorinë Superiore, të cilat kanë fituar në të katër ndeshjet e zhvilluara dje. Asnjë surprizë nuk është regjistruar në javën e fundit të pjesës së parë, teksa fusha ka nxjerrë rezultatet më të pritshme. Skënderbeu ka regjistruar fitoren e radhës, Vllaznia një tjetër humbje, duke e larguar përherë e më tepër nga kreu skuadrën shkodrane, ndërsa Teuta rikthehet te suksesi dhe vendi i dytë në renditje, ndonëse në pritje të ndeshjes së Laçit, sot në Tiranë.

 

Marshon Skënderbeu

Nuk ishte e lehtë, megjithatë në fund fitorja ka qenë e Skënderbeut, i cili mundi 2-0 Kukësin, me gola të shënuar nga Orelesi dhe Dimo, në pjesën e dytë. Ndeshja ishte emocionuese, pasi të dyja skuadrat luajtën fort. Që në fillim, më kërkues e më të orientuar drejt sulmit janë paraqitur kuqebardhët e Mirel Josës, që me dyshen ofensive Pejiç-Plaku e kanë vizituar më dendur gjysmëfushën kuksiane. Vepron bukur në mesfushë kapiteni Shkëmbi, që dirigjon gjithçka për të tijtë, ndërkohë që Orelesi e ndihmon nga prapa, me një rrjet pasimesh të sakta. Miqtë e kanë të shpallur synimin për të mos pësuar e për të provuar më pas me kundërsulme. Reparti më i spikatur i Kukësit në këtë kampionat, mbrojtja, vijon të paraqitet solide dhe e pakalueshme për Skënderbeun. Brahja nuk i ndahet Pejiçit ndërsa Plaku mundohet të gjejë zona të lira, por pa sukses, edhe pse lëviz shumë. Në pjesën e parë, ndonëse sulmoi më pak, ishte pikërisht Kukësi që pati rastin më të mirë. Progni mposhti Shehin, me një harkim mbi kokën e portierit, por Bicaj e largoi topin me kokë, mbi vijën fatale. Para tij ishte Çaushaj që hezitoi të gjuante në portën kuksiane, duke preferuar pasimin për Pejiç.

 

Kukësi ia del të ruajë ekuilibrin deri në përfundim të pjesës së parë, ndërkohë që në të dytën Skënderbeu vijon sulmet, në kërkim të golit. Vendasit ushtrojnë presion dhe kundërshtari mblidhet i gjithi në gjysmëfushën e tij, pa lejuar hapësira. Në një situatë të tillë, shpëtimtari opër skuadrën e Josës bëhet nigeriani Nurudin Orelesi, i cili shënon me një gjuajtje nga rreth 24 metra, në minutën e 64-t, pa i lënë asnjë shans portierit Halilaj, i cili shoqëroi me sy topin në trekëndësh. Mundohet të reagojnë verilindorët, por sapo bien në kontakt me topin e humbasin atë, duke mbetur shumë larg mundësive reale për të rikthyer në fuqi barazimin, që do t’i linte të kënaqur ata. Malindi dhe Biskup i afrohen shumë afër prekjes së rrjetës së Shehit, nëntë minuta para fundit të ndeshjes, por shpërdorojnë në mënyrë të pafalshme, duke mbajtur në fuqi epërsinë minimale të kuqebardhëve. Goli i Dimos, dy minuta nga fundi i lojës, gjunjëzon përfundimisht Kukësin, ndërsa Skënderbeu vazhdon marshimin drejt titullit të tretë.

 

Vllaznia pa bis

Vllaznia arriti një barazim fantastik javën e kaluar, pasi ishte në disavantazh të tre golave kundër Flamurtarit, por dje në Krujë nuk ka mundur të bëjë bis. Fitues ka dalë Kastrioti, pas një takimi tepër të fortë. Rumuni Dragoi i dha shpresë skuadrës së tij, me golin e barazimit, në minutën e 83-të, por vetëm dy minuta më pas Turdiu shënoi golin e fitores për krutanët. Pjesa e parë u mbyll me fitoren minimale të Kastriotit, me golin e shënuar me anë të francezit Fataki, duke shfrytëzuar njëfarë hutimi të mbrojtjes shkodrane. Pjesa e dytë nis mjaft mirë për Vllazninë, që arrin të barazojë në minutën e 49-të me Kastriot Rexhën, heroin e barazimit me vlonjatët, por nuk falin të besuarit e Dallakut, që ushtrojnë presion të madh në gjysmëfushën e kundërshtarit dhe kalojnë për herë të dytë në epërsi, me Turdiun. Dragoi barazoi në 2-2, duke dhënë përshtypjen se po mbyllej në barazim kjo sfidë, por Turdiu shënon golin e dytë personal dhe sjell fitoren pas tri humbjesh radhazi. Për shkodranët doli me karton të kuq portieri Vujadinoviç dhe vendi i tij në portë u zu nga Rexha.

 

Teuta, e dyta

Durrsakët bënë detyrën kundër Tomorit, ndonëse pjesa e parë u mbyll pa gola. Beratasit e Madrid Muzhait shpresuan të merrnin një pikë, por ëndrra vazhdoi deri 14 minuta para përfundimit, kur Pajaziti më në fund shënoi për durrsakët. Tri minuta më pas dyfishon Tairi, i cili shënon edhe golin e tretë. Mile shkurtoi diferencën për Tomorin, atëherë kur nuk kishte më kohë për të shpresuar. Me tri pikët, Teuta ngjitet në vendin e dytë dhe është pretenduesja kryesore për të luajtur në Europa League sezonin e ardhshëm, ndonëse lufta për zonën evropiane është me të vërtetë e fortë, ndryshe nhga ajo për titullin.

 

Fiton Shkumbini

Shkumbini ka fituar një ndeshje të vlefshme për mbijetesën, duke mundur Luftëtarin. Miqtë e kanë parë veten të parët në avantazh, falë golit të Mersinit në minutën e 41-të, duke shkuar në dhomat e zhveshjes me humor të mirë. Mirëpo, fraksioni i dytë i ndeshjes në fjalë ka patur vetëm një “padron” në fushën e blertë, skuadrën vendase, e cila ka përmbysur gjithçka. Lluca shënoi golin e barazimit, ndërsa Duka ka vulosur fitoren 2-1. Dy skuadrat nisin pushimet dimërore të kampionatit duke i bërë fqinjësi njëra-tjetrës, sepse perqinasit pozicionohen në vendin e 11-të, me 12 pikë, ndërsa një shkallë më poshtë janë gjirokastritët, me 11 pikë.

 

Kategoria Superiore

Java e 13-të

 

Dje

SHKUMBINI-LUFTËTARI  2-1

Lluca 68′, Duka 80′ / Mersini 41′

KASTRIOTI-VLLAZNIA   3-2

Fataki 16′, Turdiu 53′, 85′ / Rexha 49′, Dragoi 83′

TEUTA-TOMORI         3-1

Pajaziti 76′, Tairi 79′, 86′ / Mile 89′

SKËNDERBEU-KUKËSI    2-1

Orelesi 64′, Dimo 88′

Sot

TIRANA-LAÇI          14:00

BESA-BYLISI          14:00

FLAMURTARI-APOLONIA  17:00

 

 

Renditja

1  Skënderbeu   33

2  Teuta        23

3  Kukësi       21

4  Laçi         21

5  Tirana       19

6  Bylis        18

7  Vllaznia     17

8  Flamurtari   16

9  Besa         16

10 Kastrioti    15

11 Shkumbini    12

12 Luftëtari    11

13 Apolonia     8

14 Tomori       6

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *