Skuadra kampione e Superligës së Shqipërisë, Skënderbeu, nuk ndalet në merkato. Presidenti i korçarëve, Ardian Takaj, ka nënshkruar me një tjetër element cilësor të kampionatit shqiptar, pikërisht me Bernard Berishën, i cili prej dy sezonesh ka veshur fanellën e Besës së Kavajës, tashmë e rënë në Kategorinë e Parë.
Në fakt, afrimi i Berishës te Skënderbeu është paralajmëruar prej javësh, por palët mbyllën gjithçka vetëm ditët e fundit. 22-vjeçari është lojtari i dytë që vjen nga radhët e Besës pas Fatjon Sefës, i cili deri në javët e fundit ishte konkurrent për fitimin e “Këpucës së Artë”. Për të dy këta elementë dha “Ok” edhe trajneri Mirel Josa, nën drejtimin e të cilit Skënderbeu do të tentojë suksesin fillimisht në Champions League për të hedhur më pas sytë nga sezoni i ardhshëm.
Procesi i rindërtimit të skuadrës ende nuk ka përfunduar te Skënderbeu, pasi disa futbollistë si Bicaj, Lilaj apo Muzaka pritet të rikonfirmohen, ndërsa në dyshim janë Gvozdenovic e Tomic.
