Në sytë e pacientëve të sëmurë nga skleroza e shumëfishtë fshihet përgjigjja se si do të jetë ecuria e sëmundjes në vitet e ardhshme. Informacioni paraprak që lexohet në sytë e të sëmurëve mund të ndihmojë mjekët për të përgatitur terapitë, në mënyrë që të zvogëlohen sa më shumë dëmet që sëmundja shkakton në sistemin nervor.
Ky është rezultati i një studimi të kryer nga studiuesi Peter Calabresi, i universitetit të Baltimorës “John Hopkins”.
Ekzaminimi i syrit quhet OCT dhe përdoret aktualisht nga mjekët okulistë për të përcaktuar diagnozën e një sëmundjeje të retinës, e cila quhet makulopatia.
Skleroza e shumëfishtë
Është një ndër sëmundjet më të rënda të sistemit nervor. Prek zakonisht persona të moshës 30-50 vjeç, gratë janë dyfish më të rrezikuara. Shkenca nuk ka mundur deri tani të gjejë as shkaqet që çojnë në shfaqjen e saj dhe as ndonjë kurë. E vetmja terapi është ajo që përpiqet të reduktojë dëmet që shkaktohen nga përkeqësimi i papritur i të sëmurëve. Karakteristika kryesore e sëmundjes është se ecuria e saj varion nga një pacient te tjetri. Ka të prekur të cilët mund të shkojnë me vite pa pasur përkeqësim të sëmundjes, siç ka të tjerë që humbasin aftësinë për të lëvizur dhe një pjesë të madhe të shqisave brenda pak kohësh. / Përgatiti: Gazmira Sokoli