Dunira Strategy, një kompani konsulente në Skoci në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Rafting ka fituar çmimin prestigjoz ndërkombëtar “Green Apple Award for Environmental Best Practice” nga Green Organization, një ent i pavarur i dedikuar promovimit dhe nxitjes së praktikave më të mira ambientaliste në botë.
Duke konkurruar mes 500 projektesh të tjera, Dunira Strategy është shpallur fituesja e medaljes së artë për inovacionin për vitin 2015.
Çmimi është për projektin e turizmit aventurë në Shqipëri “Albanian Adventure Resort”.
Duke punuar me Federatën Shqiptare të Rafting, qeverinë e Shqipërisë dhe me mbështetjen e RisiAlbania – projekt i Ambasadës Zvicerane, Dunira realizoi një studim fisibilitieti dhe një plan biznesi shumë të arritshëm për një qendër inovative të turizmit aventurë duke rivitializuar zonën e një ish-reparti ushtarak pranë Kanioneve të Osumit Skrapar.
Kanionet e Osumit janë një monument natyror, me një biodiversitet të larmishëm, me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit aventurë dhe ekoturizmit.
Dunira arriti të krijojë një plan i cili përfshin trashëgiminë kulturore dhe natyrore të zonës, duke krijuar produkte turistike të nivelit botëror.
Drejtori i Dunira Strategy Tobias Hewitt shprehet: “E njohur vetëm nga operatorët pioniere turistikë, Shqipëria ka potencialin të bëhet kryeqyteti i turizmit aventurë në Ballkan. Kjo qendër e jashtëzakonshme në Osum do të fusë Shqipërinë në hartën turistike botërore.”
Ky projekt synon krijimin e një qendre tërësisht funksionale rekreative që do të jetë një destinacion ndërkombëtar i turizmit të aventurës.
Gjithashtu do të shërbejë si një qendër rajonale formimi profesional për të rinjtë shqiptarë të etur për të mësuar më shumë rreth turizmit aventurë dhe sipërmarrjes.
Duke pasur në qendër zhvillimin e rafting në Kanionet e Osumit, në projekt janë identifikuar mundësi të tjera përfshirë hiking, kayaking, kalërimin, çiklizëm malor, kacavjerrje dhe shumë aktivitete të tjera në natyrë. Rezultatet e zhvillimit do të jenë të qendrueshme duke sjellë shumë të ardhura për komunitetin dhe një trashëgimi për brezat e ardhshëm.
Ky lajm zuri edhe faqet e para të disa të përditshmeve prestigjoze skoceze si “The National” dhe “Global Travel Industry News”.

Te pakten disa lajme te bukura. Gjithe kohes aktiv ky grupi i rafting dhe i uroj me gjithe zemer sa me shume suksese dhe arritje. Njerez me ide per tu mbeshtetur nga te gjithe ne.