Skulptori Idriz Balani nderohet me titulli “Mirënjohje e Qytetit”

anazapta

Duart e tij kanë nxjerrë punime që e kanë bërë të njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, madje në Mitrovicë, ku është vendosur monumenti 3.60 m i Isa Boletinit. Skulptori durrsak Idriz Balani është nderuar nga Bashkia e Durrësit me titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Me këtë rast u organizua një ceremoni e veçantë ku merrte pjesë kryebashkiaku Vangjush Dako, deputetë të Durrësit dhe mjaft personalitete të artit dhe kulturës të vendit tonë. Në karrierën e tij 35-vjeçare në fushën e skulpturës Idriz Balani ka krijuar vepra monumentale veçanërisht të figurave të shquara historike të vendit dhe punët e tij janë të vendosura në Durrës, por edhe në shumë qytete të tjerë të Shqipërisë dhe Kosovës. Në fjalën e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako e vlerësoi lart punën e madhe që ka bërë skulptori Balani jo vetëm përsa i përket vlerave artistike, por edhe përjetësimit të figurave të shquara historike të kombit shqiptar.

Më pas, kryebashkiaku i dha skulptorit të njohur titullin “Mirënjohje e Qytetit” me motivacionin “Për kontributin e dhënë në skulpturën shqiptare, veçanërisht në përjetësimin e figurave tona historike”. Idriz Balani e ka filluar karrierën e tij artistike që në vitin 1979 kur është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai ka bashkëpunuar me skulptorët më të mëdhenj shqiptarë, si skulptori i popullit Mumtaz Dhrami etj dhe në karrierën e tij të gjatë artistike ka realizuar kryesisht monumente dhe buste. Në Durrës janë të vendosura në të gjithë qytetin skulpturat e Balanit ku disa prej tyre janë bustet e figurave të shquara, si: Naim Frashëri, Kozma Nushi, Sabri Tuci, Telat Noga etj. Ndërkaq skulptori i njohur Idriz Balani ka realizuar shumë buste e monumente edhe në Kosovë ku mund të përmenden monumenti i patriotit Haxhi Zeka në bashkëpunim me skulptorin Qazim Kërtusha vendosur në qytetin e Pejës apo edhe shumë buste të tjera të figurave të shquara, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ibrahim Rugova etj të vendosura në disa qytete të Kosovës. Ndërkohë, një nga punët e tij më të njohura është busti i Isa Boletinit, një monument historik me lartësi 3.60 metra i vendosur në Mitrovicë dhe në Isniq.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *