Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shqiptare mund të përfitojnë nga kredia e butë që financohet nga qeveria italiane. Kjo është faza e dytë e financimit, me një vlerë prej 15 milionë euro, ndërkohë që faza e parë kapte vlerën 25 milionë euro. Bashkim Sykja, Drejtor për Mbështetjen e Ndërmarrjeve, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, gjatë prezantimit të marrëveshjes, në komisionin parlamentar të Ekonomisë, u shpreh se kjo kredi do të ndihmojë në rritjen e konkurrencës së sipërmarrjeve në rang kombëtar dhe rajonal. Me miratimin e kësaj marrëveshjeje pritet që të përfitojnë një numër i konsiderueshëm kompanish, ndërsa në fazën e parë ishin 80 sipërmarrje që u financuan. Kredia është me një afat për 16 vjet, norma e interesit është 0 për qind, ndërsa sipërmarrjet do të përfitojnë 40 për qind të kredisë në formë granti.
