Gjashtë pikë para Partizanit, një distancë e konsiderueshme, por në Korçë i druhen euforisë dhe presidenti Ardjan Takaj kërkon kujdes. “Edhe ndeshja ndaj Vllaznisë dukej e thjeshtë, por nuk ishte e tillë. Vllaznia u mundua dhe na hapi disa probleme”, pohoi presidenti i kampionëve.
Prilli, vendimtar tha trajneri Mirel Josa para ndeshjes dhe Takaj është dakord: “Ky muaj ka qenë gjithmonë muaji ynë. Por 6 pikë nuk janë shumë, sepse ka edhe 8 javë dhe duhet shumë kujdes, sepse një gabim ndryshon gjithçka. Presioni është i madh, sepse çdo skuadër ka nevojë urgjente për pikë. Megjithatë, rruga drejt titullit është e hapur tashmë”.
Presidenti i klubit korçar mendon tashmë për trofeun që i mungon: “Kupa është një kompeticion ndryshe, që ka specifikën e vet. I mungon Skënderbeut dhe shpresojmë që ky vit të jetë i duhuri për ne”.
Kalendari – Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar kalendarin e ndeshjeve të Kategorisë Superiore për javën e 29-të, që do të luhet të shtunën dhe të dielën. Kështu, ekipet që nuk garojnë në Kupën e Shqipërisë, do t’i zhvillojnë ndeshjet të shtunën, më 9 prill, kur do të luhen dy përballjet e para duke nisur nga ora 16:00.
Vllaznia do të presë Teutën në fushën sportive “Reshit Rusi”, ndërsa në stadiumin “Ismail Xhemali” të qytetit të Pukës luhet përballja mes Tërbunit vendas e Bylisit.
Të dielën, sfida e parë që luhet është ajo mes Kukësit e Skënderbeut në stadiumin “Zeqiri Ymeri”, e cila nis prej orës 16:00. Më pas, në orën 19:00 do të luhen dy sfidat e tjera: Flamurtari – Partizani në Vlorë dhe Tirana – Laçi në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Bie në sy fakti se FSHF ka vendosur që ndeshja e Partizanit të nisë pas asaj të Skënderbeut, ndoshta edhe si reagim ndaj ankesës së trajnerit Andrea Agostineli para pak ditësh, i cili evidentoi faktin që skuadra e tij luan gjithnjë para Skënderbeut prej disa javësh.
