Policia italiane ka arrestuar edhe të fejuarën italiane të shqiptarit 29-vjeçar, Dritan Demiraj, i cili akuzohet për vrasjen e ish-të dashurës së tij, Lidia Nusdorfi, dhe shokut të saj, Silvio Mannina.
Demiraj vrau ish-të dashurën e tij italiane Lidia Nusdorfi më 1 mars dhe shokun e saj Silvio Mannina më 28 shkurt.
Dje policia italiane ka arrestuar Monica Sanchin, 35 vjeçe, e cila akuzohet se është e implikuar në krimin e të fejuarit të saj. Arrestimi i saj është bërë pasi u mor në pyetje nga karabinierët.
Policia ka thene se ka prova se, nga kompjuteri i italianes 35-vjeçare kanë dalë mesazhe të një natyre erotike, me anë të të cilave ka ftuar viktimën Silvio Mannina në Rimini për një takim, pikërisht aty ku ka ndodhur vrasja.
Karabinierët kontrolluan banesën dhe makinën e Monica Sanchit, në kërkim të provave që mund të sqaronin vrasjen.
Nga policia është sekuestruar një ditar si dhe fotokopja e një letre, që Monica i kishte dërguar Demirajt në burg, ku i kërkonte të thoshte të vërtetën. Kompjuteri i 35-vjeçares ishte sekuestruar javën kur ndodhi vrasja.
