Merret nën mbrojtje shefi i komisariatit të Pogradecit, Arianit Arapi. Sipas burimeve pranë policisë, Arapi është marrë në mbrojtje që nga data 25 shkurt.
SMS ish-vartësit të Lamajt natën e krimit: Do shkosh atje ku shkoi ai
“Ai vajti në banesën e fundit, tani atje do shkosh dhe ti…”. Një mesazh i tillë ka mbërritur në telefonin e ish-shefit të krimeve të komisariatit nr.6 në Tiranë, Arjanit Arapi, pak minuta vrasjes së kryekomisar Dritan Lamaj. Arapi ka denoncuar menjëherë mesazhin kërcënues. GSH citon sot një burim të saj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, i cili thotë se mesazhi kërcënues që i ka mbërritur në telefon zyrtarit të policisë, Arianit Arapi është administruar në dosje hetimore. Është bërë kqyrja e telefonit dhe oficeri është marrë në mbrojtje të posaçme.
Ndërsa vetë Arapi, në një komunikim telefonik me gazetën, tha se “Nuk kam marrë asnjë mesazh kërcënues. Unë jam në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike, duke ushtruar detyrën time në krye të komisariatit të Pogradecit”.
“Arianit Arapi, i cili ka ushtruar detyrën e shefit të Krimeve në komisariatin e Kombinatit, ka qenë në jo pak raste prezent, kur kryekomisar Lamaj ka pasur përplasje me biznesmenin Arben Frroku dhe të njohur të këtij të fundit. Ai ka pasur dijeni për të gjithë konfliktin mes Lamajt dhe Frrokut, edhe pse asnjëherë nuk është konfliktuar me këtë të fundit, apo persona të rrethit të tij shoqëror dhe familjar. Pavarësisht kësaj, mesazhi kërcënues duket se ka vënë në alarm krerët e policisë, të cilët ditë pas dite po humbasin në atentate, efektivë blu. Ndaj, pa hezituar i kanë siguruar mbrojtje të posaçme. Ndërkaq, prokuroria po heton për të hedhur dritë se kush e ka dërguar mesazhin kërcënues në telefonin e Arianit Arapit, fill pas ekzekutimit të Dritan Lamajt.
Për ekzekutimin e kryekomisarit në pranga është vënë në Selanik të Greqisë, pronari i “Xhoi lloto”, “Inkas kafe” si dhe aksioneri i klubit sportiv “Tërbuni”, Arben Frroku, që pati përplasje publike me Lamajn. Por prokuroria nuk ka ngritur dot gishtin mbi Frrokun, si i dyshuar për mesazhin kërcënues në adresë të krahut të djathtë të Lamajt, Arjanit Arapit”, shkruan GSH.