Burime nga njerëzit e afërt të gjyshes Meropi Tabakaja, pohojnë se rreth 80% e gjithçkaje që ajo sheh, provon, përjeton, dëgjon lidhur me të rejat nga Tirana dhe rrethet, etj, etiketohet si “turp”.
Shqetësimin e pohoi për Gojët e Liga djali i madh i 79 vjeçares, 58 vjeçari Androkli Tabakaja: “Për çfarëdo që ndodh, përgjigja e saj është e njëjtë: Turp”.
Mësohet se edhe më parë kanë ndodhur gjëra që ajo i ka cilësuar si turpe, por shpeshtësia e përdorimit të kësaj fjale kohët e fundit është bërë shqetësuese.
Kështu, dëshmitarët familjarë thonë se gjatë 48 orëve të fundit, gjyshja ka quajtur turp faktin që Nikoll Lesi e quan garën e ardhshme për bashkinë e Tiranës si “beteja e Stalingradit”; që letra e saj dërguar një shoqeje mbërriti me vonesë; që nipi i saj i vogël, Spiridhoni, nuk doli mirë me mësime; që Nard Ndoka ka harruar shumë pjesë të spanjishtes që dikur e njihte majë gishtave; që mbesa e saj, Lorida, bleu rrobabanje të reja për plazh, që llamba e korridorit ishte djegur, etj.
Disa herë në ditë, kur dëgjon lajmet në televizor apo të rejat nga komshinjtë, Meropi Tabakaja tund kokën, i hedh një vështrim të mençur bashkëfolësit, psherëtin dhe thotë: “Jo, jo, këto janë turpe”.
Sigurisht, shpesh Meropi e pasuron etiketimin e saj, duke shtuar ngjyrime si “turp i madh”, “turp e faqe e zezë”, “turp i padëgjuar” etj, duke i lëshuar edhe pa adresë.
“Mamaja më vë në siklet”, pohoi biri i saj Androkliu, “nganjëherë nuk e di kujt i adresohet. Kujt duhet t’i vijë turp? Mua që e dëgjoj? Sheh fëmijët e mi dhe ja lëshon kot: Këta fëmijët e sotëm, turp i madh! E ka me nipat e saj apo me fëmijët në përgjithësi? I fajëson për diçka, apo thjesht ngaqë ekzistojnë? Nuk e di, për zotin nuk e di”.
Androkli Tabakaja sot kujton me nostalgji të jatin e ndjerë, Mihalin, që si të vetmen kryefjalë misterioze dykuptimëshe, përdorte një shprehje evasive ndaj femrave në përgjithësi: “Di unë ç’do ajo, por ç’të bëj që jam burrë me namuz!”
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike pro-ndokë dhe pro-les

Me shaka, me shaka, faktikisht gjyshja del se ka te drejte me cfare po ndodh sot ne realitet dhe ne rrjet. Esht bere kurvlleku dhe pushtlleku normalitet