Kukësi hyri në histori, mirëpo kur diçka e tillë vlerësohet nga ata që e kanë bërë historinë ndër vite, merr akoma edhe më shumë vlerë. Fitorja e titullit kampion, si dhe gjykimi i Enea Jorgjit në përballjen “finale” me Skënderbeun janë komentuar jo pak edhe nga njerëz që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar me klubet, por edhe me skuadrën kombëtare.
Një prej tyre është legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, i cili ka bërë histori jo vetëm me fanellën e kësaj skuadre, por edhe me atë të Partizanit apo sidomos të Kombëtares.
Me anë të dy postimeve në rrjetin social “Facebook”, Kushta ka komentuar titullin kampion nga skuadra verilindore, sjelljen e gjyqtarit, si dhe ndjesinë që ka përjetuar kur ka parë vendimet e gjyqtarit të ndeshjes.
Statusi
“Kukësi pa diskutim ishte te tre ekipet rivale për titull… Jo vetëm sivjet, po tre-katër vitet e fundit. Unë personalisht, po të isha presidenti i Kukësit, do hyja në fushën e lojës dhe do të rrihja atë rufjano badakçiun me të zeza.
Pse, se i humbi të gjithë bukurinë e punës 1-vjeçare Kukësit që dhe pa atë arbitër do fitonte kampionatin. Po shija do qe e ëmbël, jo e thartë… diskutimet s’do rreshtin në aspektin negativ, pa kujtuar që Kukësi ishte ekipi pa humbje sivjet”, ka shkruar Kushta, i cili ka vijuar me një tjetër status: “Futbolli është i bukur se nuk parashikohet dot… sot besoj se të gjithë njerëzit e futbollit nuk duhet të ndihen mirë… pse… sepse ndeshjet parashikohen. Votoni prapë 100%”, ka postuar Kushta në “Facebook”.
