Sokrati dhe ferma e derrave

redaktor

Është e mirënjohur sentenca “Sokrat i vuajtur a derr i kënaqur!” Duke qenë se ka për autor intelektin, gëzon edhe aftësinë për ndryshim, përshtatje, veç, gjithnjë pa lëvizur prej palcës së vet. Sokrati i sotëm është më kompleks, ka fituar tipare e cilësi të reja. Një ndër to, është ajo e përfaqësimit, që bind se do të jetë luftëtar ndaj varfërisë së tij, po edhe të tjerëve. Do ta arrijë këtë duke u rreshtuar krah zhvillimit, progresit, mjafton që të marrë një mbështetje popullore.

Mu për këto vlera, me t’i shfaqur sadopak ato, ne e zgjedhim Sokratin, e vëmë në krye, – dikur në sistemin totalitar nuk na pyeste kush, i emëronin nga lart, gjithaq metastaza të asaj metode, shfaqen dhe gjejnë vënd ende -gjithsesi le të vazhdojmë rrugën tonë. Mbi njëzet vjet, kemi zgjedhur sokratët tanë, dhjetra e qindra kryetarë partish, Komunash dhe Bashkish,

kryetarë pasurish shtetërore apo private, dhjetra kryetarë gjykatash, prokurorë, dhjetra minisra e qindra zëvëndës të tyre, qindra a më shumë deputetë, dhe të gjithëve u kemi siguruar rroga të larta e mirëqënie, kushte për punë e për qejf, natyrisht me dëshirën tonë, të shprehura vullnetarisht në kushtetutë!

Kjo “kurë” për ta, mund të vazhdojë katër vjet, shtatë, shtatëmbëdhjetë, nuk varet prej tyre, thonë që varet prej nesh, prej votës sonë! Ashtu qoftë! Mirëpo, shumë syresh, madje shumë, aq shumë sa çmendesh! – me të kapur kolltukun, pagën e lartë, mirëqënien, domosdo dhe përkëdheljen ndaj shefit e

ngërdheshjen ndaj nesh, harrojnë gjënë më të thjeshtë, detyrimin. Ah,detyrimi! Shumë syresh, madje për dreq shumë, humbasin si kripa. Si ka mundësi që për një vlerë a pasion dikur, u votove u përzgjodhe, u shkri dhe u tret kaq shpejt! Si ka mundësi, të kesh qenë në krye të ekonomisë, administratës, drejtimit apo marrëdhënieve të ndryshme dhe, me t’u larguar prej karriges, të hiqesh se nuk ke qenë kërrkushi – ky mund të jetë akt i sinqertë veç që të jetë i plotë, ktheji taksapaguesit djersën, lodhjen, mundin, pse jo dhe paratë të katandisura në vila e në bursa jashtë shtetit, për mos zënë në gojë ca “vepra” nëpër kuvli motelesh! Kështu që, shpresa, bindja dhe dëshira e votuesit, se zemërgjerësia i është dhuruar specialistit, shkencëtarit, politikanit dhe intelektualit, nuk i paskan shkuar kokës, po të ndenjurave, prapanicës!

Jo më kot, organizma dhe institucione serioze, miq dhe kundërshtarë na rendisin nga fundi i Evropës. Në fund, ky vend që perëndia vetë e ka qëndisur me dete, lumenj, fusha e male, me të gjithë të mirat e kësaj bote! Atëherë çfarë kanë bërë ata, ata që numëruam në krye të herës? Asgjë. Shumica syresh, asgjë, veçse kanë shtuar radhët, kanë populluar fermën e famshme.

Një rast tronditës dhe dridhërues është ai i ekipit të Bankës, jo i ekipit të volejbollit të femrave, po ai që drejton atë vlerë kombëtare. Një gazetë e përditshme jepte fragmente të biografisë së tyre dhe, padyshim që të gjithë ishin për t’u admiruar. Kështu, duke qenë pranë Sokratit dhe u zgjodhën edhe u votuan. Po sot!? Gjendemi të tmerruar para tyre, para trajtimit dhe përkëdheljeve që gëzojnë! Ata na japin çdo ditë dru, dajak, ndonëse me pambuk po pesha e dhimbjes, është e njëjtë me atë të hekurit. Të ngjallin frikë, si me qenë “Trusti i lulelakrës”. A thua, zotërojnë burim nafte, fusha gazi, miniera nën tokë e mbi tokë. Njeriu i thjeshtë dhe i ndershëm i këtij vendi, që përgjërohet të pijë një kafe të dytë, i drejtohet më shpesh ferrit se parajsës.

Të gjykojmë vetëm për një çast sjelljen dhe veprimet e Guvernatorit, i cili vjen prej një lagjeje të ndershme dhe fisnike të Elbasanit, ku nuk gjen kërrkënd të guxojë të marri qoftë dhe një tullë të tjetri, të lë pa mend me bëmat e tij, me qokat dhe hosanarat e shfrenuara, ndërsa më të vjetrit e fisit e të mëhallës, të githë partizanë e të lidhur me luftën, kur bëjnë llogaritë e përfitimeve të pinjollit të tyre, shohin se ai u paguaka sa vlera e shumës që marrin pensionistët e kalasë së bashku me ata të Elbasanit.

Nëse, në vitet e luftës për liri e barazi, do kishin mundur ta parashikonin këtë të vërtetë, do ta linin pushkën mënjanë dhe do të shkonin vullnetarisht para togës naziste të pushkatimit. Për të tjerët, gjendur në mes asaj vjedhjeje gjigande, kur për zot shtëpie ishin po ata vetë, duhet një libër i ri . E kam përzgjedhur botuesin.Te Henri Çili. Deri sa, vetë Kryeministri që sapo kreu veprën e pashembullt të ndalesës së rrënimit dhe poshtërimit të heronjve të dritës dhe diturisë, nuk paska parë të keqe te universiteti i këtij – kjo është me të dëgjuar – por e barabiti me universitetin Lomonosov të Moskës! –nëse s’ka qenë ndonjë qesëndi e Ramës! – Ja pra, ky akt më inkurajoi. Mund të ma botojë Henri, kush nuk e do paranë? Po kurrë nuk do ketë një përurim. Nuk do të jetë si libri filozofik i Blushit, as si libri me çamarok i Pangos, as si ai me një tis akademik i Muç Nanos, por do jetë një libër i vërtetë, – këtu ndahem unë me atë patriotin tim! – pra, i vërtetë prej faqes së parë e deri te e fundit, duke iu kërkuar lexuesve dhe publikut në përgjithësi, të bëjë kujdes në zgjedhjen e Sokratit, se, vetëm një fije peri e ndan nga ferma e derrave!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *