Dashamir Elezi: Pseudo-prodhuesit janë pengesë e madhe për verërat shqiptare
Ka studiuar në Fakultetin Ekonomik, Dega Administrim Biznesi si dhe ka studiuar dhe ka ushtruar profesionin e Sommelierit në Itali prej vitit 1997 – 2002. Prej vitit 2003 është Sommelier Profesionist dhe ushtron aktivitetin në Shqipëri si sommelier, restorator, konsulent enogastronomik, drejtues ciklesh trajnimi, drejtues panelesh degustimi në konkurse si dhe bashkëpunëtor shkencor (EuroMED 2010 – Nicosia/Qipro). Prej vitit 2005, themelues dhe President i Organizatës Shqiptare të Sommelierisë.
Ç’do të thotë sommelier? Eshtë pasion, apo profesion?
Sommelieri është figurë profesionale në restoracionin modern, roli i të cilit është përshtatja e gatimeve të ndryshme me verërat dhe pijet e tjera alkolike ose me pijet e buta. Sommelieri duhet të njohë shumë mirë përbërjen e ushqimeve, mënyrën dhe kohën e gatimit me qëllim përmbushjen më së miri të detyrës së tij. Gjithashtu orienton blerjet dhe administron magazinimin e verërave dhe pijeve të tjera në një restorant bazuar në menunë e tij. Pra, sommelieri është profesion i cili kur bashkohet me pasionin, ngjitet në nivele vërtet të larta.
Organizata Shqiptare e Sommelierisë në ç’vit është krijuar?
OSHS është krijuar në vitin 2005 me qëllim krijimin e figurës së sommelierit, rritjen profesionale të shërbimit në restoracion, nxjerrjen në pah të vlerave enogastronomike shqiptare si dhe mbështetjen e prodhuesve shqiptarë në përmirësimin dhe përditësimin e tyre me të rejat e teknologjisë së prodhimit të verës në veçanti.
Çfarë kanë përfituar prodhuesit shqiptarë?
Që nga viti 2007 e në vijim, Sommelieria Shqiptare ka mbështetur prodhuesit shqiptarë të verërave jo vetëm teknikisht, duke bërë të mundur bashkëpunimin e një sërë prodhuesve me specialistë ndërkombëtarë të mirënjohur të fushës enologjike, por edhe në fushën e marketingut duke organizuar seminare, trajnime, panaire kombëtare si dhe duke bërë të mundur pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare. Natyrisht që edhe konsumatorët, edhe vetë prodhuesit e kanë vënë re rritjen cilësore të prodhimeve shqiptare falë këtyre bashkëpunimeve.
Në ç’nivel është sot vera shqiptare në krahasim me rajonin? Cili shtet importon më shumë verëra shqiptare?
Tashmë falë një pune intensive të disa prodhuesve seriozë shqiptare, jemi në të njëjtin nivel me vendet më të përfaqësuara të rajonit. Këtë e vërtetojnë edhe vlerësimet e ndryshme për verërat shqiptare në konkurset ndërkombëtare (në Ancona, Danimarkë… etj.) Fatkeqësisht, eksportet e verërave shqiptare kanë qenë sporadike, jo vetëm për faj të disa pseudoprodhuesve të cilët kanë abuzuar me emërtimin dhe cilësinë në dëm të marketingut dhe emrit të verërave shqiptare, por edhe nga politikat e gabuara fiskale të mëparshme dhe ato të kontrollit. Kemi vetëm disa eksporte në USA, Zvicër, Danimarkë dhe Kinë.
Rakia mendoj se është gjëja më e mirë që prodhohet sot në Shqipëri. A mendoni që vera do arrijë “t’ia kalojë” ndonjëherë rakisë? Kur ka nisur “konkurrenca” mes tyre?
Për arsye të mirëfillta teknike e logjistike, rakia është më e lehtë të prodhohet. Sigurisht edhe “historiku” i pijeve shqiptare është në favor të rakisë, sepse është shumë më e lehtë ta prodhosh e ta ruash atë. Rakia cilësore, me eksperiencë dhe cilësi të mirë të lëndës së parë (rrush, mana, kumbulla, manaferra, thana etj..) arrihet pa shumë vështirësi. Ndërsa vera ka proçese teknologjike të cilat kanë të nevojshme hapësira, enë specifike, kontrolle të herëpashershme e proçese të caktuara në kohën e duhur. Por, kënaqësia dhe aromat që na dhuron vera, është e pamundur të zëvendësohen me ndonjë lloj pijeje tjetër. Është e qartë se për mungesa teknologjike, besime fetare, varfëri e mungesë profesionistësh, nuk kemi pasur mundësinë të vazhdonim një traditë të hershme që ka fillesat e saj rreth 4000 vjet më parë. Në mesjetë, vera prodhohej dhe ishte shumë e kërkuar. Kemi dëshmi që disa lloje verërash shqiptare dërgoheshin edhe në Vatikan. Më pas, vera “filloi luftën për mbijetesë” për arsye të moslejimit nga feja myslimane të saj që nga periudha e pushtimit osman. Sot konkurrenca ndërmjet verës dhe rakisë në Shqipëri është “në kulmin e saj”. Tashmë është ritual të shkohet në restorante për “një gotë verë”.
Pse pi njeriu? Për të harruar gjërat e këqija, apo për të kujtuar ato të mirat?!
Së pari, pi si rezultat i nevojës për energji. Vera (krahas ujit i cili përbën rreth 85% të saj) përmban rreth 600 elementë kimikë të tjerë, të cilët përveç alkolit që është i vetmi element i dëmshëm, janë të nevojshëm për trupin.
Njeriu konsumon verë edhe për faktin se vera “na dhuron” aroma të jashtëzakonshme e cilësi unike për shëndetin. Ajo ka përmbajtje të moderuar të alkolit (në krahasim me rakinë) kështu që edhe konsumi vëllimor është më i madh. Meqënëse alkoli eliminon neuronet (së pari ato të shtresës sipërfaqësore të trurit të cilat kanë lidhje direkte me memorien afatshkurtër dhe gjendjen emotive të stresit), duket sikur harrohen problemet e ditës dhe njeriu ka më shumë “hapësirë mendore” për të menduar gjërat pozitive të jetës së tij. Por kjo është gjendje shumë e përkohshme, vetëkuptohet.
Si duhet pirë? Disa, me një gotë e humbin veten dhe disa me 3 dopio raki duken qiqërr. Si është e mundur kjo?
Siç e përmenda më lart, alkoli është elementi i dëmshëm që ndikon negativisht në shëndetin e njeriut në përgjithësi (hipertension, shtim i sasisë yndyrore, problem me sëmundjet nervore e shikimin) dhe duke e konsumuar në sasi të lartë, lë pasoja. Natyrisht që kjo varet direkt edhe nga metabolizmi i gjithkujt. Ndaj dhe vera, në krahasim me rakinë është më e toleruar. Sidoqoftë sasia e lejuar është rreth 300 ml në ditë. Kur thuhet që lejohen 2 gota verë, më vjen të qesh, sepse nuk jam shumë i qartë për madhësinë e gotës…
Me gatimet etnike shqiptare, cila pije shkon më shumë?
Gatimet etnike shqiptare janë me ndikim mesdhetar dhe kontinental, kështu që në varësi të strukturës së gatimit përgjithësisht duhet të shoqërohen me verë. Por nuk përjashtohen rastet kur disa gatime “dimërore” shoqërohen me raki (si ato gatime me pastërma, turshi… etj).
Cila pije i shkon gruas shqiptare? A dallon një grua që pëlqen rakinë, verën apo birrën?
Gruaja shqiptare siç edhe gruaja në përgjithësi është natyrë delikate dhe e ndjeshme, prandaj sigurisht që pija më e përshtatshme për të është vera, pra “pija hyjnore”. Por çdo gjë shkon me moshë…. Vajzat e reja parapëlqejnë birrën, jo vetëm sepse është më pak impenjuese, por edhe sepse përmban më pak alkol. Ka gra që parapëlqejnë rakinë edhe për arsye tradite. Psh. një fakt i pazakontë ndodh në Boboshticë, në zonën e Korçës, ku rakinë e manit e prodhojnë gratë, ndërkohë që në zonat e tjera të vendit janë kryesisht burrat ata që e prodhojnë rakinë dhe krenohen me prodhimet e tyre.
Në Shtator, Papa Francesku viziton Shqipërinë. Si president i Organizatës Shqiptare të Sommelierisë, keni menduar ndonjë aktivitet në lidhje me këtë ngjarje?
Sigurisht që po. Duke pasur parasysh edhe kohën shumë të shkurtër të qëndrimit dhe aktivitetet shumë të ngjeshura, kemi menduar të dhurojmë një “buqetë verërash tipike shqiptare” të përzgjedhura duke shpresuar edhe që Ati i Shenjtë të shprehet për cilësinë e verës tipike shqiptare siç ka ndodhur rreth 6 shekuj më parë.
Nëse do varej nga ty, si do ta marketoje verën shqiptare?
Marketingu është shndërruar tashmë në problemin kryesor të verërave shqiptare, sepse tashmë kemi prodhues të cilët këto 4-5 vitet e fundit kanë demostruar me fakte se cilësia e verës së tyre dhe varietetet shqiptare kanë potencial të lartë dhe unik në botë.
Ne si Sommelieri e Shqipërisë po insistojmë gjithnjë që në restorantet e vendit të ketë një listë me vete të verërave dhe faqjen kryesore ta zerë vera shqiptare. Gjithashtu këshillojmë prodhuesit shqiptarë të marrin pjesë në sa më shumë aktivitete enogastronomike brenda dhe jashtë vendit duke u dhënë mundësinë konsumatorëve të gjykojnë produktet dhe jo të paragjykojnë ato. Pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare bën të mundur krijimin e tregjeve të reja botërore. Edhe shteti duhet të zhvillojë politika ekspansive duke ndjekur shembullin e vendeve më të mirënjohura të fushës. Natyrisht prodhuesi duhet të jetë bashkëpunues dhe universitetet të formojnë personelin e duhur në fushën e marketingut, të cilët janë pjesë e rëndësishme në rrugëtimin prodhues-konsumator të verës.

nje gote vere, nje pike gjak…….dy gota vere , dy pika uje……………….
large nga alkoli dhe drogat
nuk keni cfare beni qe merni droge dhe pini alkol