Siç e shihni, titulli i shkrimit ka ndryshuar, nga “Jo, Sonte…” në “Sonte? Po…”. Është në dorën tuaj ta ringjallni jetën seksuale. Unë do t’u jap, vetëm, disa orientime të përgjithshme, punën do ta bëni ju. Filloni që tani:
1- Mos fajësoni më partnerin
Për të shpëtuar jetën seksuale, mos vazhdoni të fajësoni njëri-tjetrin. Përpiquni bashkërisht të gjeni ku janë rrënjët e vërteta të problemit dhe t’i rregulloni ato. Ju duhet të rifilloni “grafikun” e nxehtë në jetën tuaj. Rivlerësoni prioritetet. Kuptoni, që në këtë situatë u çoj nënvlerësimi i seksit dhe mbivlerësimi i gjërave me më pak rëndësi. Në qoftë se deri tani kërkesës së partnerit për seks i jeni përgjigjur: “Do të vi në krevat, menjëherë, pasi të palos teshat, ose pasi t’u bëj fëmijëve gati mëngjesin, ose sa të nxjerr jashtë plehrat” e të tjera si këto; ose burri thotë: “Do të vi kur të mbarojë ndeshja e boksit, kur të mbaroj këtë kapitull që jam duke lexuar”, e të tjera si këto, mos vazhdoni më kështu, ky është gabim.
Ka kohë dhe energji për të gjitha. Përse i ruani t’i bëni këto punë atëherë kur partneri u kërkon në shtrat? Evitoni gjërat e parëndësishme nga jeta dhe bëjeni seksin pjesë të domosdoshme të planifikimit tuaj. Kjo do t’u sjellë më shumë gëzim, nga çdo gjë tjetër.
Ju me siguri njihni gra që për të plotësuar çdo gjë të fëmijëve, neglizhojnë, totalisht, kërkesat dhe interesat e burri, veçanërisht, ato seksuale; ashtu siç njihni dhe burra që gjithmonë u përsëritin grave: “për mua më radhë të parë janë prindërit pastaj të tjerat”
Nuk ka dyshim që këtu shkaku i ftohjes së marrëdhënies martesore është prishja e radhës së prioriteteve. Sipas specialistëve duhet të vendoset kjo radhë e prioriteteve:
- Në radhë të parë duhet të vihen interesat e partnerit, veçanërisht, ato seksuale. Edhe në Bibël thuhet kjo.
- Në radhë të dytë janë interesat e fëmijëve.
- Në radhë të tretë prindërit e burrit dhe të gruas.
- Lista vazhdon sipas specifikave që ka çdo çift e familje.
2-Bisedoni me njëri-tjetrin
Në se jeni në kushtet që keni hequr dorë, totalisht, nga jeta seksuale bashkëshortore, mos prisni që gjërat të rregullohen vetë, duke vazhduar të jeni të heshtur. Komunikimi, është kryesori që një marrëdhënie të jetë e shëndoshë.
Lëreni mënjanë zemërimin dhe bisedoni me partnerin ose partneren për mënyrën si ai e percepton problemin. Interesohuni të mësoni se cilat nga kërkesat e tij nuk janë plotësuar. Të jeni të hapur, të ndershëm dhe të ndjeshëm ndaj ndjenjave të bashkëshortit ose bashkëshortes dhe secili nga ju, të përpiqet që të mos qëndrojë në mbrojtje të pozicionit të tij. Kërkoni nga partneri që të afrohet në bisedë dhe të jeni të dy konstruktivë në këtë bisedim. Mos harroni, se në këto situata të acaruara, vetëm pak duhet, që gjërat të shkatërrohen fare.
3- Kërkoni ndihmë të kualifikuar.
Në qoftë se u duhet ndihmë për të filluar komunikimin, do të ishte me vlerë konsultimi individual, ose konsultimi në çift. Ka ardhur koha që këto shërbime të funksionojnë më gjerësisht edhe tek ne. Ju mund ta keni dorëzuar, tërësisht, jetën seksuale martesore dhe akoma, nuk po e gjeni mundësinë ta rifilloni atë. Kjo është një e keqe e madhe, që ndodh nga që ju të dy, ose njeri nga ju, nuk ka gjetur, akoma, shkaqet e vërteta të problemit. Në këtë rast, konsultimi do t’u ndihmojë të artikuloni ato që nuk jeni në gjendje ti bëni vetë. Konkretisht, konsultimi do t’u ndihmojë:
- Të kuptoni dhe të zgjidhni problemet emocionale që ka marrëdhënia juaj.
- Të kuptoni dëshpërimin ose zemërimin, që keni patur, por nuk keni mundur ta shprehni.
- Do të kuptoni më mirë për çdo gjë tjetër që lidhet me seksin, e që buron nga e kaluara juaj.
- Terapisti do t’u japë perspektivë të re dhe do t’u çojë në zgjidhje të reja, që juve ta ruani martesën.
Mos nënvlerësoni, në asnjë mënyrë, problemet financiare që ju keni si çift. Ato janë faktorë me rëndësi, që kanë influencë të madhe edhe në jetën seksuale.
Në qoftë se nuk e përcaktoni dot arsyen, pse ju nuk jeni në formë për seks, bisedoni me doktorin. Ka shumë mundësi, që përgjegjës për uljen e dëshirës për seks, ose për mungesën totale të libidos, të jenë problemet shëndetësore dhe jo partneri. Shkaqe të tjera mund të jenë menopauza, andropauza e burrave, disa medikamente (pilulat antikonceptive, barnat që përdor burri për hipertensionin, ose antidepresantët). Depresioni është një shkak i fortë për uljen e dëshirës për sek. Pas lindjes së fëmijëve dhe kur fëmija ushqehet me gji, hormoni prolaktinë i kombinuar me ndryshime të tjera hormonale, mund ta prishë dëshirën e gruas për seks.
Bisedoni me doktorin për të gjitha këto gjëra.
4-Ndërmerrni veprime të arsyeshme
Kur filloni të bisedoni për rregullimin e jetës tuaj seksuale, mos u merrni me çështjet emocionale, por filloni të bëni seks : Shkoni në dhomën e gjumit, e mos prisni deri sa të vini në “formë”.
Fatkeqësisht, jeta moderne është e mbushur me shumë preokupime, me ditë dhe netë të lodhura dhe me fëmijët nëpër këmbë. Shumë pak njerëz kanë mundësi të gëzojnë mbrëmjet me qirinj të ndezur për dekoracion dhe banjat me flluska në vaskat luksoze. Por kjo, nuk do të thotë se të gjithë të tjerët nuk kanë arsye dhe të drejtë që si çift, të gëzojnë të lumtur çlirimin e këndshëm nga ky stres i madh i jetës.
Le të shpresojmë, se ditë më të mira do të vinë edhe për shqiptarët e varfër. Por mos prisni për këto ditë të lumtura. Fillojeni seksin ose kontaktin fizik me njeri-tjetrin (mbajtjet nga dora dhe përqafimet) çdo ditë, deri sa të viheni përsëri mbi shinat. Mos bëni, vetëm, premtime. Veproni. Përshtatuni me trupat tuaj dhe përqendrohuni në gëzimin e intimitetit me njeri-tjetrin.
Pa kujtoni një here, sa e gëzuar ishte jeta juaj, plot dashuri, në ato vite të para të martesës. Kjo duhet t’u kujtojë, se i a vlen të punoni së bashku për të rikapur magjiken. Nuk ka rëndësi sa kohë keni të martuar, ose sa të preokupuar jeni në jetë. Nuk është, kurrë, vonë, për të rindezur pasionin për njëri-tjetrin.
Duhen përpjekje, që të arrihen gjërat e mira në jetë. Premtojini njëri-tjetrit se do ta bëni seksin prioritetin tuaj. Kur ta keni realizuar këtë premtim, jeta do të bëhet e lumtur dhe e shëndetshme për ju të dy.
Dr. Adem Harxhi
Boll po shkruhet e po tirret per seksin.Po ama ndihme nuk kerkon asnji njeri nga nji tjeter ne dyluftimet per seks.Sic kerkojne ndihme,zakonisht kur kryejn ndonji pune te veshtire fizike.Ketu edhe i patakat ne gryke te vorrit duan ta kryejn seksin pa nderhyrje ndihme nga nji i dyte apo i trete merreni si ta deshironi.