Drejtoresha nacionale e SOS Fshatrat e Fëmijëve, Teuta Shkenza shpjegon mënyrën e funksionimit të këtij projekti, ndihmën që marrin fëmijët deri në moshën madhore dhe bashkëpunëtorët që ndihmojnë në mirërritjen e fëmijëve.
Çfarë është SOS-i dhe cilët janë prioritetet e tij?
SOS Fshatrat e Fëmijëve, Shqipëri është një organizatë sociale, jo fitimprurëse, jo fetare që vepron që prej vitit 1996, ku një nga programet e saj të para ka qenë kujdesi me bazë familjen, i realizuar nëpërmjet SOS familjes në SOS Fshat duke synuar integrimin e plotë të fëmijëve që kanë humbur kujdesin prindëror apo që janë në rrezik për ta humbur atë. Qëllimi i organizatës është t’i ofrojë fëmijëve kujdes në kuadër të një familjeje duke i integruar ata në shoqëri dhe duke i mbështetur në rrugën drejt autonomisë dhe pavarësisë.
Si e përballoni kujdesin afatgjatë të këtyre fëmijëve?
Elementet që na bëjnë të suksesshëm jane modeli SOS i përkujdesit, mbështetjes ndaj fëmijëve; puna, përkushtimi, profesionalizmi i burimeve njerëzore; fondet e qëndrueshme nga SOS Kinderdorf International që është ombrella e të gjithë SOS Fshatrat e Fëmijve në 132 vende të botës, si edhe gadishmëria e donatorëve lokalë.
Cili është modeli i kujdesit për fëmjët që kanë humbur kujdesin prindëror?
Ne ofrojmë kujdes me bazë familjen nëpërmjet 13 familjeve në Fshatin SOS. Janë 139 fëmijë për të cilët kujdesen nënat SOS që janë personat direkt të kujdesit ndaj fëmijës. Të rinjtë e fshatit SOS jetojnë në dy komunitete rinore të cilat janë të specializuar për të ofruar kujdes profesional për moshën e rinisë. Pas moshës 18 vjeç, fëmijët e SOS Fshatit përfitojnë nga programi i gjysëm pavarësisë dhe mbështeten deri në moshën 23 vjeç.
Ndërkohë punoni edhe në kuadër të mbështetjes së familjeve në nevojë…
Operojmë që prej vitit 2006 në Tiranë me dy projekte të Fuqizimit të Familjes, në njësitë bashkiake 2 dhe 9, si edhe në Shkodër, ku që prej vitit 2008, përfitojnë 833 fëmijë. Parimi kryesor është “Familja biologjike është ambienti më i mirë për rritjen e fëmijëve”, prandaj organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën po i kushton një rëndësi të veçantë shërbimeve që mbështesin fëmijët në ambientin e tyre familjar. Ofrohen disa shërbime komplekse për fëmijët dhe prindërit duke u përpjekur që familja të rimarrë funksionet e saj jetësore. Këtu përfshihen mbështetja shëndetësore, edukative, psiko-sociale, mbështetja për qëndrueshmërinë ekonomike, advokim për akses ndaj të drejtave qytetare, etj.
Po shkolla dhe kopshti janë për përdorim vetëm për fëmijët SOS?
Target grupi ynë në programin e edukimit janë fëmijët pa kujdes prindëror, në rrezik për ta humbur atë, si edhe fëmijet e komunitetit të cileve i është dhunuar e drejta për edukim. Aktualisht në Tiranë, Kopshti SOS ndiqet nga fëmijët SOS, fëmijët nga familje vulnerabël dhe shumë fëmijë nga Tirana apo komunitetit përreth i Saukut. Aktualisht po bashkëpunojmë me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për ta kthyer shkollën SOS në një qendër ekselence të formimit profesional nga e cila të rinjtë tanë do të përfitojnë maksimalisht. Në Shkodër prej tre vitesh funksionon projekti i edukimit i cili synon që të mbështesë fëmijët dhe shkollat në rritjen e cilësisë së edukimit. Përveç kësaj punojmë në advokimin për të drejtat e fëmijëve, siç ka qenë fushata “Unë vlej”, i cili ndërgjegjësoi të rinjtë pa kujdes prindëror, rriti pjesëmarrjen e të rinjve në aktivitete me ata në fokus dhe me ata protagonistë. Aktualisht kemi filluar edhe një fushatë tjetër me moton: “Kujdesu për mua”, e cila synon advokimin për të drejtën e fëmijëve për të pasur një kujdes cilësor si në familjen e origjinës, ashtu edhe në familjen alternative.
Si sigurohen të ardhurat për fëmijët, për çfarë përdoren dhe deri në çfarë moshe mbështeten këta fëmijë nga programet tuaja?
Të ardhurat për fëmijët në përgjithësi sigurohen nëpërmjet sponsorave ndërkombëtarë të cilët ndërtojnë një marrëdhënie afat-gjatë dhe të rregullt me organizatën tonë duke u bërë pjesë e rëndësishme për jetën e këtyre fëmijëve. Të ardhurat përdoren për nevojat bazë të fëmijëve, si edhe për të ushqyer aftësitë e tyre të veçanta, që përmirësojnë mirërritjen e tij. Fëmijët mbështeten nga programet tona edhe pasi ata arrijnë moshën e pjekurisë. Këshillohen për arsimimin, punësimin, si të fitojnë pavarësinë, ndërkohë që mbështeten financiarisht deri në atë fazë që ne e quajmë gjysmë pavarësi dhe që përfundon në moshën 21 vjeçare.


Bravo SOS-i per vlerat njerezore dhe detyren fisnike! Respekt!