Nga Skënder DODA
Pikërisht si sot, 109 vite më pare, Qeveria e Përkohshme e Vlorës, e drejtuar nga Ismail Qemali në rrethana aspak të favorshme, mori vendimin historik për krijimin e Forcave të Rendit Publik (Policia dhe Xhandarmeria). Çdo vend ka veçoritë e veta të krijimit të policisë dhe kjo lidhet me traditën, rrethanat historike, gjendjen social ekonomike etj.
Nga studiues të shumtë historianë, kolegë e më gjerë, krijimi i Policisë Shqiptare si institucion zyrtar është konsideruar me të drejtë si një akt realisht madhor për fatet e vendit sepse lindi në boshllëkun e krijuar nga rrëzimi i shpejtuar i një Perandorie që sundoi, administroi, një “bashkëjetesë” të dhunshme 500 vjeçare.
Mendoni kaosin e anarkinë që shkakton një ushtri e shpartalluar, e cila në ikje e sipër, për të mbijetuar shkelte fshatrave të varfëruar, ndërkohë ushtritë e aleancës Ballkanike përbënin rrezikun e gllabërimit të çdo pëllëmbe territori sipas planeve e traktateve ogurzeza. Ca më keq që dhe në planin e brendshëm kishte pllakosur pabesia, zilia, tradhtia; një rrezik i shtuar sa faktori i jashtëm.
Në këtë gjendje të vështirë në një territor të vogël u krijuan forcat e sigurisë të cilat vepruan më shumë bazuar në shpirtin patriotik të njerëzve të thjeshtë se sa në aftësitë e drejtuesve të saj.
Për fatin e keq rruga e policisë Shqiptare ka kaluar nëpër vështirësi e peripeci nga më të ndryshmet të cilat kanë lënë gjurmë sa në profesionalizmin aq edhe në mentalitetin dhe psikologjinë e trashëguar. Duke qenë periodikisht në “duart” e të huajve nga viti 1913 e deri në përfundim të luftës së dytë Botërore, pra të austro-hungarezëve, francezëve, italianëve e gjermanëve efektivat e saj u konsideruan në bllok “bashkëpunëtorë” me pushtuesit pavarësisht nëse i kishin apo jo duart të lyera me gjak.
Në vitet e para të regjimit komunist, policia jonë u përgatit, u trajnua e funksionoi duke pasur asistencën jugosllave e sovjetike e ndërsa pas viteve 60 deri në 90 pavarësisht mungesës së asistencës së të huajve, vazhduan modelet lindore sipas vijës së partisë shtet.
Me rrëzimin e sistemit diktatorial policia mbajti një qëndrim mjaft progresiv ndaj proceseve demokratike. Por thirrjet “policia është me ne” nuk patën efekt parandalues mbi goditjet e padrejta mbi Policinë. Kërkesat për depolitizim shërbyen si fasadë për një partitizëm e militantizëm më agresiv.
Nga vitet ‘91 e në vijim me dhjetra misione policore nga Evropa, SHBA, etj kontribuan në përmirësimin e kuadrit ligjor, të strukturave në qendër e bazë, arsimimi e trajnimet e personelit, sigurimi i pajisjeve duke u përpjekur të sjellin koncepte bashkëkohore të policimit për realizimin e misionit universal të Policisë; mbajtjen e rendit e të sigurisë në nivelet që kërkon koha.
Ndryshimet e imponuara nga të huajt ose larmia e modeleve të ofruara nga misionet e huaja policore në realitetin Shqiptar kanë lënë gjurmë në historinë e Policisë por gabimisht duke nënvleftësuar traditën dhe gjithnjë krijohet ideja se ne vazhdimisht fillojmë çdo gjë nga e para.
I përshkrova shkurt disa momente në historinë e Policisë Shqiptare; dihet se nga një lindje problematike, pa asistencën e duhur, nuk mund të presësh fëmijë të gjallë, madje i sapolinduri kërkon kujdes të jashtëzakonshëm e profesional që të ecë pa çaluar gjithë jetën.
Pa mohuar arritjet e dekadave të fundit duhet të shohim, kuptojmë dhe lexojmë me kujdes anën tjetër të medaljes:
Në analizën e 119 viteve histori të Policisë së Shtetit me ngritje e ulje dramatike, me kosto të lartë sidomos jetësh njerëzore, nuk është ndonjë zbulim të konkludohet se policia ka qenë e mbetet “shkop”, instrument në duart e politikës shtetërore. Ajo, pra Politika e përdor aktualisht madje dhe influencon në të ardhmen e saj.
Për realizimin e misionit “reduktimi i krimit” pavarësisht nga ideologjia sunduese, nga sistemi politik, Policisë i janë dhënë në përdorim dy burime të mëdha; fondet nga paratë e popullit dhe autoritetin për të përdorur forcën madje për të kufizuar disa liri e të drejta civile. Gjithnjë nën kontrollin e politikës. Ligjërisht Policisë nuk i lejohet qasje partiake. Por për shkak të vartësisë ndaj politikës në nivelin strategjik në momente të spikatura (rotacion politik, ndërrim Ministrash e Drejtorësh, intensifikimi i sulmeve mediatike etj, shoqërohen me rritje të prezencës policore në publik aksione e operacione policore të emërtuar me tituj bombastikë, deklarata për shtyp për rezultatet e arritura etj duke krijuar një perceptim se çdo gjë fillon nga zero.
Edhe nëse lidershipi policisë përpiqet të mbajë sa më larg Policinë nga militantizmi duke kërkuar profesionalizëm e drejtësi, gjë që cënon interesat e ngushta e të dyshimta të politikbërësve të veçantë ai sulmohet me terma politikë e kriminalë. Në rastin më fatlum mund të jetë spostuar butë butë në funksionin e tij deri sa një ditë largohet drejt harresës duke marrë mbi vete edhe mëritë, akuzat me apo të drejtë të vartësve edhe kolegëve.
Por pas lidershipit janë me mijëra punonjës policie të cilët përmes tij kuptojnë se sa i besueshëm e i vëmendshëm është shteti ndaj tyre. Policia e kupton menjëherë; nëse shteti merret seriozisht dhe tregon vendosmëri në çështjet e sigurisë, ajo e realizon misionin madje duke e paguar dhe me gjakun e saj.
Në të kundërt, policit i duhet të mbijetojë duke zhvilluar paralelisht me performancën profesionale edhe nuhatjen e politikës së ditës. Instiktivisht efektivë të saj përgatiten për tu mbrojtur jo nga gurët e turmave, jo nga plumbat e kriminelëve, por nga pabesia politike kësisoj e siguron mbijetesën duke “flirtuar” me partitizmin por që e dëmton rëndë profesionalisht dhe i ul imazhin publik. Shembujt nuk mungojnë;
Në vitet 91 policia bëri të pamundurën, sakrifikoi që në një kohë të shkurtër u zhduk kaosi, anarkia dhe u vendos rregulli e qetësia publike. Por kur politika e ditës nisi të cedojë, u shfaqën simptomat e paralizimit të policisë; dobësimi i strukturave, standardet e ulta të rekrutimit, militantizmi në lëvizjen e personelit, shkeljen e të drejtave të njeriut, korrupsionit etj.
Humbja në skemat piramidale, sikurse dhe ankesat e shumta të popullit në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut rritën pakënaqësinë dhe rezultatet e kësaj politike u dukën qartazi gjatë trazirave janar-mars 1997; me qindra të vrarë e të plagosur, shkatërrime masive dhe një rritje galopante të të gjithë formave të krimit.
Sërish politika u detyrua të merret seriozisht Pas muajit qershor 1997, filloi puna për ringritjen dhe riorganizimin e policisë. U riaktivizuan strukturat e mëparshme të paralizuara, u krijuan struktura që kishin të bënin direkt me luftën kundër banditizmit, terrorizmit, krimit të organizuar, çarmatimit.
Shpejt u arrit që të policia funksionojë, të zhbllokohen rrugët strategjike nacionale nga bandat kriminale, të vendoset rendi dhe qetësia publike, të çarmatoset një pjesë e popullatës si dhe të vihet në funksionim administrata publike.
Politika ka treguar në shumë raste mungesën e përkrahjes ndaj policisë duke bërë që ajo të ndihet mjaft e frustuar përballë presionit të medies, komunitetit, grupeve të interesit për veprime ose mosveprime që cënojnë imazhin e policisë, qëndrime të ndryshme në lidhje me ushtrimin e kompetencave që i jep ligji etj.
Ndërkohë Policisë së Shtetit i ka rënë barra e madhe të përballet me situata të shkaktuara nga politika; me manaxhimin e tubimeve të dhunshme, lufta ndaj kultivimit të kanabisit etj. Është përfshirë në emergjencat natyrore, përmbytjet, tërmetet, zjarret problemet e mjedisit, etj. Dëmet materiale janë riparuar madje objektet janë bërë më të mira.
Por riparimi i besimit ndaj politikës, rikthimi i besimit të plotë ndaj ligjeve nuk është një proces automatik, i shpejtë dhe me kosto të vogël. Sërish nuk është faji i Policisë. Jemi ende shoqëri problematike primitive ku gjuha e moralit apo terminologjia juridike të bën qesharak.
Etiketimet fyese shpesh herë më të ndyra e më të dëmshme se gurët, që fillojnë nga deputetë të veçantë në Parlament, sulmet mediatike opionbërëse janë më të rrezikshëm se plumbat. Ato krijojnë bindjen tek punonjësit të thjeshtë të policisë, idenë e një terreni të akullt, të rrëshqitshëm nga çasti në çast.

Policia shqiptare eshte sic jane……..shqipetaret. As me shume as me pak. Sic jane shqipetaret eshte policia eshte ushtria eshte gjykata eshte politika d.m.th te korruptuar barkderr paedukate edhe joprofesioniste. Shoqeria nuk ndryshon politikanet ose funksionaret e shtetit, njerezit e mencem dhe me guxim te paster dhe te drejte zgjidhen udheheqes dhe ndryshojne shoqerine. Ligjet mbi kedo.
Pse nuk thoni se ish-Presidenti dhe Nr. 1 i pushtetit ekzekutiv ne Shqiperi, Sali Berisha, i ngriti dhe i mbrojti Firmat mashtuese Piramidale dhe pastaj e pergjaku popullin duke derguar ne varreza mbo 2000 djem nenash?