Sot, 85 vjetori i lindjes së Prof. Alfred Uçit

redaktor

Pak ditë më parë doli në qarkullim libri i ri i akademikut të njohur, Prof. Alfred Uçit nën titullin “Ese dhe etyde filozofiko-estetike”. Botimi i një vepre të tillë është padyshim një ngjarje e gëzueshme për kulturën kombëtare, duke pasur parasysh autorin, një emër autoritar dhe mjaft i respektuar në letrat shqipe. Jo vetëm se është nip i martirit të shqipes Petro Nini Luarasit dhe eruditit të madh Skënder Luarasi, Prof. Uçi është befasues në disa aspekte: për thellësinë e mendimit filozofik dhe estetik, për nivelin dhe cilësinë e lartë të të shkruarit, por edhe me energjinë, vrullin me të cilin shkruan pambarimisht. Ky libër është i veçantë pasi botohet në 85 vjetorin e lindjes së tij. Dhe Profesor Alfredi gjatë këtyre viteve na ka befasuar me botimin e shpeshtë të shumë librave me vlera të njëmendëta. Më tha një mik para disa kohësh: Ai shkruan me një shpejtësi marramendëse, aq sa ne nuk arrijmë ta ndjekim në ritmin e tij.

Duke i uruar jetë të gjatë e krijimtari të begatë Profesorit në këtë përvjetor të ditëlindjes, po sjell në vijim dy vlerësime të shkurtra për të nga shkrimtari Dritëro Agolli dhe Gianni Mazzei, Profesor në Universitetin e Kozencës, Itali.

 

Dritëro Agolli: Pesha e një njeriu me histori

Ndërtesa e shoqërisë në çdo kohë është mbajtur nga disa kolona. Kur ndonjëra prej tyre plasaritet dhe rrëzohet, atëherë kjo ndërtesë fillon dalëngadalë të dobësohet dhe të lëkundet. Kolona që mbajnë shoqërinë unë do t’u thosha atyre njerëzve të shquar, që kur nuk ndjehen dhe nuk duken në shtyp, në libra, në publik apo në rrugë, shoqëria e vë re mungesën e tyre dhe pyet: “E kini pare filanin?” Një ndër këto figura, që pa e tepruar do ta krahasoja me ato kolona që përmenda, është Alfred Uçi, për të cilin shoqëria nuk ka pyetur “Ku është Alfredi”? por “A e lexuat Alfred Uçin”? Këtë nuk e them i dalldisur nga patetizmi apo i dehur nga vera e simpatisë së një miqësie të hershme, por i nxitur vetëm nga një e vërtetë, që e shohin të gjithë, Tek shkruaj këto radhë, kam para meje një përmbledhje të Alfred Uçit me pesë vëllime: “Prometeu dhe Hamleti”, “Paradigma të ndërgjegjes bashkëkohore”, “Barra tragjike e heronjve të letërsisë”, “Estetika e groteskut” dhe “Apologji e katarsis në dialog”. Siç parandihet, vetëm duke përmendur titujt, ne do të kemi në këto pesë vëllime një gjallim të tërë mendimi filozofik dhe estetik për artet, letërsinë dhe shoqërinë, duke kapërcyer nga e sotmja në të djeshmen dhe anasjelltas, nga realiteti historik në atë bashkëkohor nga letërsia botërore në letërsinë shqiptare dhe të gjitha këto në marrëdhënie të ndërsjella, në letërsinë e dukurive të tyre aspak të ngrira, por përherë në lëvizje larg çdo shenje dhe gjurme të skolastikës së vjetër e të re. Lëvizjen, apo me një shprehje tjetër, dinamikën, këtij kompleksi dukurish ia shpejton jo vetëm mendimi i freskët dhe i gjallë, po edhe toni polemik, ku i fshehtë dhe ku i hapur, ku këmbëngulës dhe ku si pa të keq, shkarazi. Nën mbulesën e të pesë vëllimeve që po shfletoj unë, nuk ndjej vetëm atë çka lexova, po edhe atë që nuk e lexova: ndjej historinë e vetë autorit. Kjo histori i lëviz mbulesat e vëllimeve dhe del jashtë tyre. Është një dalje fatlume, që tregon se si e ngre lart dhe e shpie përpara njeriun. Njeriu pa histori është anonim.

 

Alfred Uçi, një intelektual jo si të tjerët

Nga Gianni Mazzei*

E njoh Alfred Uçin që nga viti 1981 dhe besoj jam në gjendje të pohoj se ai as minimalisht nuk mund të katalogohet në vizionin e intelektualit, që e përkul kokën për t’iu bindur pushtetit në fuqi. Në të kundërt, mbështes fort mendimin se Uçi mund të vendoset legjitimisht në një tjetër kategori interpretuese të personalitetit e të vlerës së tij intelektuale, duke u nisur gjithmonë nga metoda e hetimit gramshian. Alfred Uçi ka jetuar në Tiranë në një periudhë të caktuar historike të vështirë, por në funksionet që ka luajtur si profesor, si Ministër i Kulturës e kështu me radhë, duke kaluar nëpërmjet specializimit mbi problemet e zakoneve e të folklorit, të shkrimeve të shumta mbi estetikën, filozofinë etj, për të arritur deri në anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është vendosur me një vizion të fortë kritik brenda këtij realiteti kompleks, duke mbajtur një lidhje me popullin dhe duke gjetur një drejtpeshim pozitiv ndaj pushtetit në fuqi brenda mbrojtjes rigoroze të një identiteti kombëtar të përjetuar si një fitore të madhe të tij dhe të familjes së tij. Pas përmbysjes së regjimit të Enver Hoxhës, mbi të cilin nuk ka munguar të shprehë gjykimin e tij kritik në fillim të viteve ’90, Alfred Uçi, edhe pse gjendej në kushtet më të mira përsa i përket prestigjit e njohjes për të luajtur role politike të dorës së parë, u tërhoq nga shamatat, duke iu përkushtuar librave e shkrimeve të tij mbi estetikën e filozofinë. Për këtë forcë morale e intelektuale që kam ndeshur tek ai, ashtu sikurse edhe në pak intelektualë të tjerë të rinj, besoj se mund të them që prof. Uçi nuk është një intelektual si të tjerët, por një bartës idesh e koherence që përbëjnë më të mirën e kulturës të nënkuptuar si shoqëri e që mendoj se mund të përcaktohet sipas mënyrës gramshiane një “intelektual organik” i historisë më të mirë të vendit të tij.

* Profesor në Universitetin e Kozencës, Itali

Share This Article
3 Comments
  • Na latë pa mend o Drita! Po për çfarë t’a kujtojmë dhe ta respektojmë këtë palo profin. Këtij i mbajmë mend vetëm estetikën Marksiste- Leniniste, në të cilën luftonte me shumë pathos izmat në letërsi dhe arte dhe ngrinte në pjedestal letërsinë e realizmit socialist. Ky profi do të ishte më i nderuar sikur të heshtëte përgjithmonë.

  • Urime nga zemra profesorit Alfred Uci me rastin e 85-vjetorit te Lindjes ! NJERIU I SHKELQYER,Profesori , filozofi dhe esteti i shkelqyer jane bashkuar te ky burre. Kush ka pasur rastin dhe fatiñ ta njohe nga afer nuk mund te mos kete vene re se te ky njeri eshte sendertuar gjithashtu patrioti dhe eruditi i figurave te shquara te shquara te shqiptarizmit. Prof. Alfredi eshte pinjoll i nje familjeje te madhe te patriotizmit,nipi i njerit prej atdhetareve te shquar dhe mesuesi te shqipes e te shqiptarizmit Petro Nini Luarasit. Kam patur fatin e madh te bisedoj dhe te pi kafe me te. Me ka lene pa fryme me njohurite e jashtezakonshme ne estetike dhe ne filozofi .Eshte arkiva e gjalle e mendimit estetik boteror dhe krijuesi e historiografi i pare shqiptar i mendimit filozofik dhe estetik te ne. Nuk ka nje te dyte qe e njeh kete fushe si ai. Zoteron nje memorie te habiteshme dhe shkruan akoma qarte dhe thelle si ne vitet me produktive te veprimtarise se tij akademike. Ka vetem nje te mete,-nuk te le kurre te paguash kafete . I uroj jete te gjate,energji per te permbushur qellimet e tij gjithnje ne evoluim dhe pasurim si dhye realizimin e atyre endrrave e deshirave qe i do zemra e tij e madhe !

  • “Akademiku i nderuar Prof. Alfred Uçi, në ditët e sotme, përfaqëson një nga emblemat më të çmuara te kulturës shqiptare. I edukuar që fëmijë me idealet atdhetare te gjyshit të tij, Petro Nini Luarasi dhe korifenjve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, i përfshirë në Lëvizjen antifashiste që në moshen 14-vjeçare, dha ndihmesën e tij të pakursyer, me mish e shpirt, për ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe të emancipuar. Me veprën e tij madhore gjysemshekullore që po e pasuron vazhdimisht me kryevepra të reja, ai nderon kulturën e vendit tonë të vogël, në vatrën e kulturës botërore. Nga zemra i uroj ne 85-vjetorin e lindjes : Jetë të gjatë dhe krijimtari të mbarë, i nderuar Prof. Alfred Uçi!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *