Seanca e sotme plenare është dhe afati i fundit për të miratuar tre ligjet si kusht për integrimin, kur kanë mbetur dhe pak ditë nga 20 nëntori. Një ditë më parë të dyja palët, PS dhe PD bën të ditur qëndrimet e tyre, sipas të cilave pritet të digjet shansi për marrjen e statusit.
Kryeministri një ditë më parë i kërkoi kreut socialist, Edi Rama të votonte tre ligjet, dhe se çështja e Fierit është pjesë e gjykatave dhe nuk ka lidhje me integrimin.
Në përgjigje të tij kryesocialisti Rama tha se Berisha po mundohet të justifikohet, pasi integrimi varet nga zgjedhjet. Pasi maxhoranca refuzoi ftesën e opozitës për tryezë bisedimesh për të zgjidhur çështjen e qarkut të Fierit, mundësitë për kompromis janë bërë zero. Gjykata e Lartë, ligji i nëpunësit civil dhe rregullorja parlamentare janë tre ligjet për të cilat BE ka vendosur kusht për të marr statusin e anëtarësimit.