Starton sot konkursi i pranimit për mijëra kandidatë që kanë kërkuar të vijojnë studimet e larta në një nga 33 programet studimore të Universitetit të Arteve në kryeqytet. Për të garantuar mbarëvajtjen e konkursit, drejtuesit e këtij institucioni kanë marrë masat për shtimin e rojeve që do të shërbejnë për ruajtjen e sigurisë së ambienteve ku do të testohen kandidatët. Nëpërmjet një urdhri të posaçëm të nxjerrë pak ditë më parë është vendosur që të mos lejohet as parkimi i automjeteve në sheshin para universitetit. “Gjatë periudhës së zhvillimit të konkurseve të pranimit, shërbimi i ruajtjes me roje civile angazhohet maksimalisht për ruajtjen e rregullit e qetësisë, si dhe mjediseve në Universitetin e Arteve dhe ushtron kontrolle të vazhdueshme në të gjitha këto mjedise”, citohet në urdhërin e rektorit të universitetit. Shoqërisë që ofron shërbimin e ruajtjes me roje civile, i është kërkuar që të dyfishojë numrin e rojeve në mjediset e universitetit. Po kjo shoqëri është udhëzuar që të mbajë në zonën përreth universitetit një grup efektivësh të gatshëm për çdo rast emergjence. Më tej urdhri specifikon se zona e parkimit para universitetit do të qëndrojë e lirë, ku lejohet hyrja vetëm e automjeteve të përcaktuara në një listë të veçantë të nënshkruar nga kancelaria e universitetit. Punonjësi i vendosur në postin e shërbimit në zonën e parkimit, ka përgjegjësi për kontrollin e lëvizjes së automjeteve. Hyrja e personelit akademik dhe personelit administrativ gjatë periudhës së zhvillimit të konkurseve do te lejohet vetëm nga hyrja në rrugën “Lekë Dukagjini”. Ndërsa hyrja e konkurrentëve do të lejohet vetëm nga hyrja kryesore përballë sheshit “Nënë Tereza”. Hyrja lejohet vetëm kundrejt paraqitjes së dokumentit të identifikimit me fotografi. Në Universitetin e Arteve rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), llogariten në masën 30 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70 për qind. Pikët maksimale që mund të fitojë një kandidat që konkurron në një nga programet e studimit të arteve janë 240. Kandidati, i cili nuk arrin të fitojë të paktën 60 pikë në programin e studimit për të cilin konkurron, nuk fiton të drejtën e studimit. Drejtuesit e këtij universiteti thonë se kriteret përzgjedhëse do të selektojnë më të mirët për ti shpallur si fitues. Plot 1347 maturantë në të gjithë vendin kanë listuar si preferenca të para ku duan të vijojnë studimet e larta, një nga degët e arteve. Gara për të fituar një të drejtë studimi parashikohet të jetë e ashpër, pasi vetëm 322 prej tyre do mund të marrin statusin e studentit. Ata që nuk e kalojnë me sukses këtë fazë, pavarësisht rezultateve të maturës, nuk e fitojnë të drejtën e studimit. Ndërkohë që dy ditë më pas do të nisë edhe konkursi tek dega e arkitekturës, për të cilin gjithashtu janë marrë masa të rrepta sigurie.
Hyrja në ambientet e provimit
Ata që nuk janë pjesë e listës së AKP-së dhe që nuk kanë listuar në formularin A2 këto degë, nuk kanë të drejtë që të marrin pjesë në konkurset e pranimit. Gjithashtu kanë të drejtë të hyjnë në konkurs të gjithë kandidatët sipas listës së regjistruar pranë sekretarisë mësimore të fakultetit përkatës. Konkursi për secilin nga fakultetet do të zhvillohet në ambientet e fakultetit, sipas udhëzimeve të detajuara për secilin program studimi. Do të lejohen të hyjnë në konkurs vetëm kandidatët e listës së shpallur për konkurrim, të cilët duhet të jenë të pajisur me dokument identifikimi : “letërnjoftim, kartë identiteti, pasaportë). Kush nuk ka asnjë nga këto dokumente identifikimi nuk do të pranohen të marrin pjesë në konkurs. Kandidati konkurrent për të hyrë në konkurs duhet të paraqesë në hyrje edhe mandat pagesën e bërë në llogari të institucionit.
