Sot luhen 4 sfidat e javës së 23-të, nesër Bylis-Skënderbeu

redaktor

Kategoria Superiore është gati për një tjetër akt të rëndësishëm, me javën e 23-të që vë përballë skuadra e objektiva të ndryshëm duke ofruar sfida vërtet interesante.

E shtuna ofron katër sfida njëkohësisht, ku spikat padyshim përballja e drejtpërdrejtë për vendin e tretë mes Tiranës dhe Teutës.

Kampi bardheblu vjen pas një jave të turbulluar që nisi me disfatën në Korçë e kontestimet për arbitrimin të shoqëruar nga pakënaqësitë e tifozëve për pamundësinë e luajtjes së ndeshjes pasdite me drita dhe fundin e palumtur të telenovelës Hugo Almeida.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto Ilir Dajës nuk i mungojnë dhe problemet me formacionin, pasi Elis Bakaj sërish nuk do të jetë në lojë e po ashtu dhe Gërxhaliu i skualifikuar, ndërkohë që pritet të jetë i gatshëm Karan ashtu si dhe Smajli që kthehet pas skualifikimit.

Tirana është përgatitur e fokusuar te ndeshja duke ruajtur heshtjen e shtypit, ndërsa po kaq jetike konsiderohet përballja edhe për ishin e madh të sfidës Gugash Magani.

Për Tiranën fitorja do të shërbente padyshim edhe si vitaminë për derbin e javës së ardhshme me Partizanin, me të kuqtë që në turnin e radhës kanë një pengesë më të kalueshme të paktën në letër, pasi përballen me Tërbunin e fundit të klasifikimit që vjen pas 5 disfatave radhazi.

Gjithsesi në Pukë nuk do të jetë e lehtë për skuadrën e Agostinellit që nuk do të ketë Mazrekajn, i cili ruhet për derbin.

Pas disfatës që pësoi ndaj të kuqve, Kukësi pret në “Zeqir Ymeri” Flamurtarin. Fusha e verilindorëve është një terren “armiqësor” për vlonjatët që nuk kanë shijuar aty suksesin, por skuadra e Zekeria Ramadanit vjen me shpirtin e duhur pas fitores ndaj Vllaznisë dhe ka potencialin për ti bërë keq kujtdo.

Në të njëjtën kohë në Shkodër luhet një derbi verior mes Vllaznisë dhe Laçit që vë përballë Armando Cunguut skuadrën që udhëhoqi drejt suksesit deri para pak muajsh. Për trajnerin shkodran nuk ka vend për nostalgji pasi vorbulla e mbijetesës është bërë vërtet e frikshme dhe në Shkodër konsiderohet një përballje vendimtare për të dalë faqebardhë nga ky sezon.

Java e 23-të mbyllet nesër me Bylis-Skënderbeu, me kampionët e Shqipërisë që do të zbresin në fushë duke e ditur rezultatin e rivalëve të Partizanit, por në “Adush Muça” gjejnë një Bylis të karikuar si rrallëherë edhe pas fitores surprizuese në fushën e Laçit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *