Luhet për titullin kampion dhe Kupat e Europës. Kategoria Superiore kulmon këtë të hënë me dy supersfidat që mbyllin javën e 22-të.
Në Korçë, Skënderbeu pret Tiranën në një duel që gjithmonë ka prodhuar emocione të mëdha në këto vitet e fundit, ndërsa në kryeqytet Partizani sfidon Kukësin me shpresën për tu rikthyer te fitorja pas 2 barazimesh radhazi në kampionat ndaj Flamurtarit dhe Vllaznisë.
2 takime që mund të ndikojnë drejtpërdrejtë në garën për titullin kampion, por edhe për kualifikimin në Europa League. Në orën 18:00 në stadiumin “Skënderbeu”, korçarët do të hynë në fushë me një objektiv të qartë të marrin tre pikët për të ruajtur avantazhin ndaj Partizanit në klasifikim.
Pa kroatin Marko Radas të dëmtuar trajneri i kampionëve Mirel Josa pritet të rreshtojë Renato Arapin përkrah Tefik Osmanit në qendër të mbrojtjes, ndërkohë që numri 1 i pankinës bardhekuqe mund të mbështet edhe te dy lojtarë që munguan në çerekfinalen e kthimit në Kupë ndaj Vllaznisë, pikërisht te Liridon Latifi dhe Hamdi Salihi.
Gjithsesi për të mundur Tiranën, Skënderbeu nuk do ta ketë të thjeshtë. Në fazën e parë korçarët morën një fitore të vuajtur me shifrat 2-1, ndërkohë që edhe në kryeqytet Skënderbeu fitoi me të njëjtin rezultat në fazën e dytë duke mundur Tiranën në debutimin e saj në “Selman Stërmasin” e rikonstruktuar.
Megjithatë tashmë situata ndryshon, pasi bardheblutë edhe pse vinë në këtë sfidë nga eliminimi zhgënjyes në Kupën e Shqipërisë ndaj Flamurtarit, në kampionat nuk mposhten që nga ajo sfidë ndaj korçarëve në fazën e dytë.
Gjithsesi ajo që e shqetëson më shumë trajnerin Daja është çështja e dëmtimeve pasi në këtë duel Tiranës do ti mungojnë plot 5 lojtarë përfshirë këtu edhe sulmuesi Elis Bakaj. Një sfidë mjaft e rivalizuar do të jetë edhe ajo mes Partizanit dhe Kukësit që do të zhvillohen po në orën 18:00 të kësaj të hëne në stadiumin “Qemal Stafa”.
Të kuqtë e Agostinellit nëse duan të shpresojnë ende te titulli kampion duhet të fitojnë me çdo kusht ndaj Kukësit të Klodian Duros që vjen në këtë sfidë pas kualifikimit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Partizani i ka mundur në të dyja sfidat e këtij sezoni verilindorët, dhe për më tepër në kryeqytet nuk është mposhtur asnjëherë nga Kukësi gjatë këtyre viteve.
Për të thyer tabunë “Qemal Stafa”, Duro mund të mbështetet te i gjithë grupi i futbollistëve, ndërsa Partizanit do ti mungojë sërish një lojtar shumë i rëndësishëm si Mentor Mazrekaj.
