Familjarët e 26 viktimave të Gërdecit kanë protestuar sot para Prokurorisë së Përgjithshme, duke kërkuar nga kryeprokurori Llalla që të marrë masat për vazhdimin e gjykimit për ish-ministrinë e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Familjarët e viktimave kanë kërkuar që Llalla të nisw sa më parë hetimet ndaj Mediut, si një nga përgjegjësit e tragjedisë së 15 marsit 2008.
Ata mendojnë se rruga drejt hetimit të Mediut është më e lehtë, pasi ai nuk ka më imunitet dhe për më tepër, është shprehur vetë i hapur për hetime për këtë rast.
Pak ditë më parë, Gjykata e Apelit dha vendimin për një nga çështjet më të bujshme, njëkohësisht edhe procesi më i zvarritur. Apeli la në fuqi vendimin e shkallës së parë, madje për disa prej të akuzuarve lehtësoi dënimet.
Vendimi i formës së prerë, parashikoi ulje të dënimit për ish-kreun e kompanisë MEICO, Ylli Pinari, i cili u dënua përfundimisht me 15 vite burg, nga 18 vite që e kishte dënuar Gjykata e Shkallës së Parë. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Pinari do të qëndrojë vetëm 10 vite në burg.
Ish-administratori i kompanisë “Albademil” sh.p.k, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtori i Fabrikës së Demontimit të armëve, Dritan Minxolli përfituan ulje të dënimit me 1/3. Në bazë të këtij reduktimi, Mihal Delijorgji dënohet me 7.5 vjet burg, ndërsa Dritan Minxolli me 12 vjet burg. Edhe për këta dy të pandehur, Gjykata e Apelit ka vendosur të aplikojë përfundimisht gjykimin e shkurtuar.
Shpërthimi në një fabrikë të demontimit të municioneve u mori jetën 26 qytetarëve në Gërdec, pesë vjet më parë.