Tirana ende në pritje për t’u kthyer në shtëpi. Me stadiumin “Selman Stërmasi” që është në fazën e fundit të punimeve, bardheblutë presin të mësojnë nëse supersfida e javës së 13-të me Skënderbeun do të luhet në impiantin e rikonstruktuar.
Klubi 24 herë kampion ka ngritur ritmin e punimeve për të përfunduar në kohë rekord disa detaje të vogla, nga vendosja e mobilieve në dhomat e zhveshjes e deri në rrethimin e një pjese të fushës. Vendimin përfundimtar do ta marrë Federata Shqiptare e Futbollit, që pohoi zyrtarisht për Sport News se afati përfundimtar është dita e enjte (sot). Çështja e stadiumit ka lënë pezull ditën dhe orën e zhvillimit të ndeshjes.
Ndërkohë, bardheblutë vijojnë përgatitjet për duelin me Skënderbeun, për t’i dhënë vazhdimësi ecurisë me tre fitore në katër ndeshjet e fundit, por mbi të gjitha për t’u afruar me kreun.
Mbrojtësi Dritan Smajli mungon prej dëmtimit muskulor dhe vijon stërvitjet e diferencuara, ndërsa Dorian Kërçiku është i vetmi i pezulluar. Por, lajmi i mirë janë gjendja optimale e Ronald Gërçaliut, që ndaj Bylisit mori disa minuta në këmbë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mesfushorët Gjergji Muzaka dhe Erjon Vucaj.
I vetmi që ende nuk ka luajtur pas dëmtimit në shpinë është kapiteni Ervin Bulku, që gjithsesi i është bashkuar grupit në stërvitjet me intensitet të plotë. Tashmë vendimi rreth aktivizimit të 34-vjeçarit i takon trajnerit Ilir Daja. Drejtuesi i stolit ka nevojë për të gjithë lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, në mënyrë që Tirana të regjistrojë fitoren e parë përballë korçarëve në vitin 2015, me suksesin e fundit të arritur në dhjetor të vitit 2014.

Keshtu e kane punet ne Shqiperi, nisin dhe asnjehere nuk bitisen ne kohe! Si shembull, mund te merrni dhe stadiumin “Loro Borici” te Shkodres. E c’te shkruash tjeter…….