Spahiu: Ja pse nuk u votua statusi i minatorit

Ornela

Erion Habilaj

Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu shpjegon arsyet sesi relacioni i qeverisë për projektligjin e minatorëve, ishte një farsë dhe me dy standarde.  Sipas tij, “Rilindja” nuk i duron dot të varfrit dhe të pamundurit, ndërsa thotë se është e paimagjinueshme që një zonë si Bulqiza që nxjerr miliarda lekë, i ka lënë minatorët në mjerim. Si bir i një minatori, Spahiu e ka marrë si sfidë personale miratimin e statusit, dhe nëse nuk e realizon një gjë të tillë, ai paralajmëron revolta të forta.

Spahiu, dje në Komisionin e Çështjeve Sociale, u rrëzua projektligji i propozuar nga ju, për statusin e minatorit? Cilat ishin arsyet?

Është e vështirë të gjej një arsye të logjikshme, pasi është e paimagjinueshme sesi kjo qeveri e kapur nga biznesmenët, nuk i duron dot të varfrit dhe të pamundurit. Dje në komision ishte e njëjta mendësi, i njëjti mentalitet, duke mbajtur qëndrime të dyfishta përballë njerëzve në nevojë. E them këtë, pasi kjo “qeveri rilindje” ishte ajo që votoi statusin e naftëtarit rreth 1 vit më parë ndërkohë që dje refuzoi projektligjin e minatorit. Kjo klikë e pushtetit e ka hallin tek benefitet politike, që të shfaqet para publikut se ata janë të vetmit që bëjnë reforma në këtë vend. Por s’mund të funksionojë kështu me jetën e minatorëve. Ky status, nuk është i imi, por i minatorëve. Nuk është benefit politik, por social, nuk është i LSI-së apo i PD-së, por i njerëzve që kanë punuar për dekada në nëntokë.

 Në relacionin e qeverisë thuhet se statusi i minatorit, shkel parimet bazë të kushtetutës si dhe disa ligje të Kodit të Punës. A është ky një status anti-ligjor?

Edhe sikur të ishte e vërtetë kjo që thoni ju, sërish komisioni nuk duhet ta rrëzonte, por ta votonte në parim dhe më pas të diskutohej nen për nen. Por deputetët socialistë përfshirë edhe ata të qarkut të Dibrës, e rrëzuan këtë propozim. Nëse ky projektligj do të shkelte Kushtetutën apo Kodin e Punës, atëherë ne duhet të rrëzojmë edhe statusin e naftëtarëve, pasi të dy të janë të ngjashëm. Unë e kam argumentuar dje në Komision e Çështjeve Sociale, relacionin farsë të qeverisë që kishte renditur disa nene si të papranueshme, ndërkohë që janë të njëjtat nene të votuara në statusin e naftëtarit. Madje, një nga pretendimet e qeverisë ishte se statusi i minatorit do të sillte efekte negative në ekonomi, por pa e përcaktuar koston. Pra, një përgjigje evazive, vetëm e vetëm për ta refuzuar këtë projektligj.

Z.Spahiu, duket sikur e keni marrë si sfidë personale, statusin e minatorit. Përse këmbëngulni kaq shumë për ta çuar deri në fund këtë projektligj?

Është lebetitëse fakti që nga një zonë si Bulqiza dalin miliarda lekë, por minatorët nuk sigurojnë dot bukën e gojës për familjet e tyre. Unë jam bir i një minatori dhe e di shumë mirë se çfarë do të thotë të punosh 1800 metra nëntokë. Ky është një profesion i pakrahasueshëm me asnjë, për nga vështirësia. Në Shqipëri janë 40 mijë minatorë, të cilët kanë parë tmerrin me sy çdo ditë dhe vijojnë të paguhen me rroga qesharake. Jo vetëm që do t’i shkoj deri në fund kësaj çështje, por jam i sigurt që kjo qeveri do të paguajë çdo ditë vonesën që po u shkakton minatorët. Është e pafalshme sesi kjo qeveri bën ligje brenda ditës kur vjen fjala për të favorizuar biznesmenët, rasti më konkret me heqjen e akcizës për pijet energjike apo edhe me paketën fiskale për hotelet me 5 yje. Ndërkohë për minatorët, naftëtarët, të papunët dhe të varfrit, “Rilindja” jo vetëm që nuk lëviz vendi, por as nuk i sheh me sy.

A janë të gjitha sindikatat e minatorëve të bashkuara tek ky status që ju keni propozuar?

Absolutisht që po. Problemi nuk janë sindikatat apo minatorët, por qeveria. Ky projektligj është hartuar me mbështetjen e fuqishme të 5 sindikatave të minatorëve në vend. Mund të ketë vend për përmirësime? Patjetër që po, hajde ta diskutojmë, por jo ta rrëzojmë tërësisht dhe të presim derisa qeveria të hartojë një projektligj të ri.

Pra, ju po thoni se nuk do të prisni një projektligj të ri nga qeveria për minatorët?

Unë kam depozituar statusin në muajin mars 2017 në parlament. Kodi i Procedurës Administrative e qartëson se kthimi i përgjigjes nga qeveria për këtë projektligj duhet të ishte brenda 3 muajve. Por asnjë reagim, derisa u detyrova ta ridepozitoja sërish projektligjin në muajin shtator. Përgjigja më erdhi në janar, në shkelje me afatet ligjore. Pra, vetëm për një përgjigje mediokre prej 2 faqesh, pritëm 10 muaj dhe tani të presim me vite derisa qeveria të hartojë një projektligj të ri. Ka sosur durimi dhe nuk kemi pse të presim kur ndërkohë kemi një projektligj gati. Ky është argument skandaloz.

Cilat do të jenë lëvizjet e radhës, meqenëse qeveri dhe Komisioni i Çështjeve Sociale e ka rrëzuar këtë projektligj?

Mazhoranca dhe në veçanti deputetët dibranë si dhe të gjithë zonave ku ka minatorë, kanë një shans tjetër pasi nisma do të jetë për diskutim në seancën parlamentare. Nëse ekziston ende dëshira e mirë, vullneti dhe guximi, çdo deputet duhet të dalë përtej siglave partiake dhe të votojë unanimisht këtë projektligj që përmirëson situatën financiare të minatorëve. Në rast të kundërt, kjo qeveri e rilindjes së kapur nga të pasurit, do të përballet me revoltën e minatorëve dhe ja u sigurojë që protesta e tyre nuk do të jetë sa për të kaluar radhën.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *