Kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, thotë se ka dashur gjithmonë që të bëjë karrierë në drejtësi dhe jo në politikë, madje ka refuzuar tre herë kërkesën e PD-së për ta kandiduar si deputet. “Gjithmonë kisha ëndërruar të kisha karrierën në profesion dhe jo në politikë. Jam munduar që t’i qëndroja as afër, as larg politikës. Për një arsye, sepse realiteti shqiptar është shumë i hidhur. Nëse nuk ke njohje në politikë, kurrë nuk mundet të kesh një vend pune, jo më të kesh karrierë profesionale, por gjithmonë nuk më kishte pëlqyer fakti që të isha tërësisht në politikë”, thotë në një intervistë për “Shekullin” kreu i AK.
Spahiut thotë se shtysë për t’u futur në politikë u bënë thirrjet e greko-amerikanit Nikolas Geixhit drejtuar minoritetit grek në Shqipëri, për t’u bërë grekë.
Në lidhje me financimet e AK, Spahiu thotë se çdo anëtar që përfshihet në struktura ka detyrimin për të kontribuar. Ndërsa në lidhje me denoncimet e rasteve të korrupsionit dhe bashkëpunimit me agjentura të huaja të qeverisë “Berisha”, Spahiu thotë se AK po punon për hartimin e dosjeve të kryeministrit dhe ministrave.
Gjatë intervistës, Spahiu flet edhe për sulmin ndaj tij kur ishte nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Ju thashë që unë me të marrë detyrën, kam marrë një goditje politike për shkak të dosjes Gërdeci, dhe goditja politike që unë mora nuk ishte një goditje vetëm kundër meje, por ishte një goditje nga i gjithë sistemi. Kur kryeministri kërkonte shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së dhe shkarkimi u bë unanim, nuk ishte vetëm për Kreshnik Spahiun. Pas kësaj asnjë gjyqtar nuk do të guxonte të dënonte njerëzit për çështjen e Gërdecit, e më pas për 21 janarin, apo çdo çështje tjetër politike. Sepse kur kryeministri dhe qeveria merrnin guximin për të goditur numrin dy të KLD-së, ata nuk kishin asgjë për të poshtëruar dhe shkelur çdo gjyqtar”, thotë Spahiu për “Shekullin”.