Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherësh nismëtar i statusit të minatorit, Përparim Spahiu ka reaguar sot përkundrejt qeverisë, duke e akuzuar për mashtrime ndaj minatorëve.
Në një konferencë për shtyp, ai mori si shembull rastet e përmendura së fundi edhe në media: ku një 37-vjeçar humbi jetën tragjikisht në galeritë e Bulqizës, një tjetër u vra aksidentalisht në ato të Klosit, dhe 6 minatorë u vranë në 6 muajt e fundit në galeritë e këtyre zonave.
Spahiu risolli në vëmendje edhe deklaratën e Edi Ramës në vitin 2011, ku i premtonte mbështetje minatorëve.
“Gënjeu dhe vazhdon të gënjejë që shumë shpejt do të dorëzojë një propozim për minatorët. Por përveç zvarritjes disa mujore, asgjë nuk ka sjellë deri tani. Pushteti vret për statusin e tij, të ndenjies në karrigen e pushtetit, ndërsa statusi i minatorit mbetet “hallexhi” i dënuar me vdekje”, ka thënë Spahiu.
Sipas deputetit të LSI-së, kryeministri në ditët e sotme organizon vetëm video-konferenca me këtë shtresë të shoqërisë, të cilëve arriti t’i merrte atë që kërkonte: votën.
Ai e përmbylli deklaratën e tij duke thënë se Lëvizja Socialiste për Integrim, ashtu siç ka mbështetur çdo iniciativë që ka lidhje me mirëqënien e çdo shqiptari, do të mbështesë dhe minatorët.
s.a/dita
