Luhet Juve-Inter, derbi i zjarrtë në Itali. Përballja e kreut mund të vendosë shumë për të ardhmen e dyja skuadrave, por këtë herë rivaliteti tradicional mes dy skuadrave nuk reflektohet në fjalët e trajnerëve në konferencat respektive për shtyp.
Spalletti dhe Allegri respektojnë dhe vlerësojnë në distancë njëri-tjetrin.
Allegri
Massimiliano Allegri ka probleme me dëmtimet në prag të ndeshjes së rëndësishme kundër zikaltërve. Buffon nuk do të jetë, Dybala është në dyshim, Pjanic e Mandzukic nuk janë 100% dhe për këtë arsye Higuain do të mbajë peshën kryesore të sulmit bardhezi.
“Juve-Inter është një sfidë për titull, por ende jo përcaktuese për fatin e kampionatit”, thotë ai.
Në lidhje me Interin kryesues, Allegri theksoi se vlera e shtuar e zikaltërve është homologu i tij, Luciano Spalletti.
“Po tregon aftësitë e tij duke konfirmuar gjërat e mira që ka bërë në karrierë. Në Romë ka bërë gjëra të mëdha, i shfrytëzon më së miri karakteristikat e lojtarëve që ka në dispozicion. I lexon mirë ndeshjet dhe është vlera e shtuar e Interit”, u shpreh Allegri.
Spalletti
Luciano Spalletti mendon se Juventusi është një skuadër si gjithë të tjerat, që duhet mundur për të marrë 3 pikët e për të ruajtur vendin e parë në Serinë A.
“Tani kemi një identitet dhe e dimë që mund të garojmë në nivele të larta. Për të arritur objektivat duhet të marrim sa më shumë pikë dhe çdo ndeshje duhet parë si mundësi për grumbullim pikësh. Për këtë arsye, do të shkojmë në Torino për të fituar”, tha trajneri i Interit.
Kur u pyet se cilin lojtar do të donte t’i hiqte Juventusit, Spalletti zgjodhi trajnerin kundërshtar: “Unë shikoj lojtarët e mi, maksimumi Juves do i hiqja Allegrin. Është shumë i mirë për të ndryshuar skuadrën gjatë ndeshjes”.
