Ministri spanjoll i Punëve të Jashtme, Jose Manuel Garcia Margallo, e cilësoi sot marrëveshjen BE-Turqi, të nënshkruar në mars për të bllokuar krizën e refugjatëve, si një punë të dobët.
“Kjo marrëveshje që kemi arritur me Turqinë, është një punë e pa bërë mirë”, tha ministri për radion “Cope”.
“Qëllimi ishte që Turqia të na ndihmojë që refugjatët të mos vijnë më masivisht nga deti, është diçka e mirë, më përpara ata rrezikonin jetën dhe mafia përfitonte nga fatkeqësia e tyre”, deklaroi ai.
“Por kjo nuk na pengon që ta cilësojmë këtë një punë të dobët sepse kjo e lë zgjidhjen në dorë të një vendi të tretë”, theksoi shefi i diplomacisë spanjolle, i njohur për të shprehurin e tij të drejtpërdrejtë.
Garcia Margallo i ka gjykuar nga ana tjetër si të pamjaftueshme përpjekjet e BE-së për pritjen e refugjatëve, ndërkohë që nga ana tjetër Spanja kritikohet se ka pritur një numër shumë të ulët.
