Spanja pret sot Italinë në një “replay” të finales së Euro 2012, por ndërkohë ndeshja midis dy rivalëve të vjetër ka filluar. Për Spanjën do të debutojë Diego Kosta, brazilian i natyralizuar si spanjoll, dhe në shtypin italian kjo gjë është cilësuar si absurde dhe e parregullt. Trajneri i spanjollëve, Visente del Boske, është hedhur menjëherë në kundërsulm, duke u kujtuar italianëve sulmuesin e tyre, Daniel Osvaldo, i lindur në Argjentinë. Trajneri kampion bote më tej shton se “debutimi i Diego Kostës nuk është i ndryshëm nga ai i lojtarëve të tjerë. Sa herë që vjen një lojtar i ri, ka shumë zhurmë. Shpresoj që ai të ndihet mirë me Spanjën”. Trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, do të donte ta eliminonte një përballje të tillë sot, pasi dy skuadrat mund të ndeshen me njëra-tjetrën në finalet braziliane, në fazën me eliminim direkt, nëse ecin sipas parashikimeve. Del Boske nuk është dakord, duke thënë se ndeshja e sotme nuk do të ndikojë në takimin e mundshëm në botëror. “Rezultati që do të dalë nga kjo miqësore nuk do të mund të influencojë mbi atë që do të ndodhë në botëror, ndaj nuk jam dakord me idenë e Prandelit që nuk donte ta luante një sfidë të tillë. Pres të ndeshemi me atë Itali që barazuam në evropian dhe pastaj në Kupën e Konfederatave. Ajo e finales së Kievit në Euro 2012 nuk ishte në formën e duhur fizikisht, kishte lojtarë si Kielini të dëmtuar. E imagjinoj si një kundërshtare të fortë, me të cilën duhet të luajmë një ndeshje intensive”, komenton Del Boske. Një tjetër ndeshje e madhe midis skuadrave favorite për të fituar botërorin do të jetë në Paris, ku Franca pret Holandën. Frank Riberi dhe Arjen Roben do të jenë mungesat e mëdha, i dyti për shkak të një dëmtimi të lehtë muskulor të pësuar në ndeshjen kundër Shalkes. Në Shtutgart, Gjermani pret Kilin, një skuadër vërtet e fortë e që mund të shkaktojë surpriza. Njeriu i mbrëmjes pritet të jetë Miroslav Klose, pasi një gol do ta bënte atë shënuesin më të mirë në histori për Gjermaninë, duke kaluar ish-bomberin Gerd Myler. Në Rumani luan Argjentina, ndërsa Brazili viziton Afrikën e Jugut.
