Spanja sjell në pranga Shaqjen, vrau dy kunatat për flori

Dita

Nëntë muaj pas krimit makabër të ndodhur në qytetin e Durrësit, ku dy gra të moshuara, kunata me njëra-tjetrën, u gjetën të torturuara për vdekje, të lidhura dhe me gojë të mbyllur, është sjellë në pranga nga Spanja i dyshuari kryesor. Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana njoftoi dje se ka ekstraduar nga Madridi të shumëkërkuarin për vrasje në bashkëpunim dhe grabitje, Indrit Shaqja, 42 vjeç, banues në Shijak, njëkohësisht i dënuar edhe për krimin e drejtimit të mjetit pa patentë me 6 muaj burg në kohën kur ka ndodhur ngjarja. Më herët ishin arrestuar dhe po hetohen dy autorët e tjerë të dyshuar, mes të cilëve edhe nipi i njërës nga viktimat, djali i motrës. Për Shaqjen, Gjykata e Durrësit kishte dhënë vendimin “arrest me burg” në mungesë, për “vjedhje me pasojë vdekjen”, në bashkëpunim me Velson Elmazin, 29  vjeç, banues në Elbasan, dhe Artur Kaçanollin, 29 vjeç, banues në Shijak, ky i fundit nipi i një prej viktimave.

Si ndodhi krimi

Kanë qenë orët e vona të natës së 2 shtatorit 2014, kur tre persona të maskuar dhe të armatosur mësynë në banesën ku jetonin dy kunatat e moshuara, Elsa dhe Gjinovefa Vava, 72 dhe 77 vjeçe, në lagjen nr. 11 të Durrësit. Në shtëpi nuk ka pasur persona të tjerë dhe sipas hetimeve, gjithçka e ka organizuar nipi i njërës prej viktimave, me pretendimin se kishte dëgjuar nga mamaja e tij se gjyshja mbante flori të fshehur. Dy gratë kanë qenë në gjumë, kur agresorët me pistoletë dhe thikë i kanë terrorizuar, dhunuar, lidhur pas karrigeve dhe mbyllur gojën me çarçaf që të mos bërtisnin. U kanë kërkuar të tregonin për floririn e fshehur, por pa asnjë rezultat. Në fund kanë kërkuar vetë dhe mundën të merrnin disa bizhuteri floriri dhe një shumë prej 2 mln lekësh të vjetra. Më tej janë larguar, duke i lënë gratë e moshuara në atë gjendje dhe pa ndihmë. Në mëngjes, trupat e tyre u gjetën nga të afërmit, që denoncuan në polici. Gjurmët e zbuluara në vendngjarje, telefonatat e përgjuara, filmimet nga kamerat e bizneseve në rrugë, zbuluan se autorë të dyshuar ishin tre shokët Indrit Shaqja, 41 vjeç, autori kryesor dhe i proceduar më parë për krime të ndryshme, 28 vjeçari Artur Kaçanolli, nipi i Gjinovefës dhe Velson Elmazi, nga Elbasani, po person me precedentë të shumtë penalë. Elmazi dhe Kaçanolli u arrestuan disa ditë pas krimit, kurse Shaqja mundi të arratisej drejt Spanjës, ku u kap pak muaj më parë. Policia tha se 41-vjeçari është dënuar në muajin nëntor 2014, dy muaj pas krimit, me 6 muaj burg për akuzën “drejtim mjeti në gjendje të dehur”.

 

2 shtator

I vitit 2014 ka ndodhur krimi i rëndë, në orët e vona të natës, kur tre persona të maskuar dhe të armatosur mësynë në banesën ku jetonin dy kunatat e moshuara, Elsa dhe Gjinovefa Vava, 72 dhe 77 vjeçe, në lagjen nr. 11 të Durrësit. Pas torturës, terrorit, lidhjes me litar dhe mbylljes së gojës, autorët u larguan pa i ndihmuar, ndërsa kryen grabitjen. Gratë e moshuara nuk arritën të mbijetonin si pasojë e plagëve të rënda dhe moshës.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *