U21, Spanja është tepër e fortë për Shqipërinë

anazapta

Për 66 minuta, kombëtarja U-21 ushqeu iluzionin se mund të merrte një rezultat pozitiv përballë skuadrës më të mirë të kontinentit në këtë moshë, por një gabim në mesfushë rezultoi fatal për gjithë takimin. Shqipëria u mund 0-2 nga Spanja, kampione e Evropës, në takimin e luajtur dje në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan. Për hir të së vërtetës, një humbje e pritshme, përballë një skuadre që nuk është thjesht më e mira, por dominon me dhunë arenën evropiane, e formuar me futbollistë që luajnë me skuadrat e para në ligën e spanjolle, përfshirë edhe dy të mëdhenjtë, Real Madrid e Barcelonën. Kuqezinjtë e Skënder Gegës vinin në përballjen e djeshme si të fundit e grupit, por me moral të përmirësuar pas fitores befasuese në Hungari.

Spanja ishte skuadra më e mirë në fushë, por Shqipëria iu përgjigj me zemër kualitetit superior të iberikëve dhe pjesën e parë e mbylli në barazim. Kështu iku edhe gjysma e së dytës, ndonëse pas pushimit Spanja e rriti më tepër presionin. Për t’u theksuar se prania e Ergys Kaçes në mesfushës e ka përmirësuar ndjeshëm lojën e Shqipërisë, në të dyja ndeshjet e fundit. Futbollisti i PAOK-ut, së bashku me Herolind Shalën, vrapuan mjaft në mesfush, fituan shumë duele përballë spanjollëve, e megjithatë nuk mjaftoi. Në minutën e 66-të, një gabim në mbrojtje i dha mundësi Sergi Robertos të nxirrte të lirë para portës Iker Muniain dhe sulmuesi i Athletic Bilbaos shënoi golin e avantazhit për Spanjën.

Kuqezinjtë pësuan tronditje nga goli, megjithatë e patë një mundësi barazimi, me Shalën, por ai gjuajti dobët dhe portieri kundërshtar priti pa probleme. Tri minuta para fundit, një tjetër gabim dhe Deulofeu shënon edhe golin e dytë për spanjollët, që arrijnë fitoren e gjashtë në po aq ndeshje të grupit dhe janë pothuajse të kualifikuar në finalet e Euro 2015 për kategorinë U-21. Shqipëria kthehet te humbjet, megjithatë ndryshe nga herët e tjera, përballë një skuadre që sa herë luan njeh vetëm fitore, ndërkohë që edhe loja ka shfaqur rritje.

 

 

U-21/ Euro 2015

Grupi 4

SHQIPËRI-SPANJE  0-2

Golat: Muniain 66′, Deulofeu 87′

SHQIPERIA: Teqja, Prençi, Gjokaj, Kotobelli, Husaj, Shala, Kaçe, Gino (Muriqi 59′), Kruja (Bardulla 46′), Batha (Rrahmani 79′), Shkurtaj. Trajner: S. Gega

SPANJA: Pacheco, Carvajal, Sergi Gómez, Amat, Bernat, Sergi Roberto (Ñiguez 69′), Óliver Torres, Campaña (Sergi Darder 79′) , Muniain (Samperio 86′), Morata, Deulofeu. Trajner: J. Lopetegui

Gjyqtarë: M. Panaji, M. Dhimitriadhis, M. Centis (Qipro)

Kartonë të verdhë: Batha, Gjokaj, Kotobelli / Amat, Sergi Roberto

 

Renditja

Nr Skuadra      N    F    B    H    Gol. Pikë

1  Spanja       6    6    0    0    22:5 18

2  Austria      4    3    0    1    7:6  9

3  Bosnja       6    2    0    4    9:16 6

3  Hungaria     5    2    0    3    6:7  6

5  Shqipëria    7    1    0    6    4:14 3

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *