Luis Enrique është gati të kthehet. Dhe nga dera kryesore.
Ish-trajneri i Barcelonës, sipas “Marca”, është favoriti i madh në garën për stolin e kombëtares spanjolle.
Pas “rrufesë” së përjashtimit të Lopeteguei nga ky rol, një ditë para nisjes së Botërorit të Rusisë, për shkak se ai kishte arritur marrëveshje për të qenë trajneri i Real Madridit në sezonin e ri, pas periudhës jo të lumtur të Hierros në Kupën e Botës së kësaj vere si timonier i “La Roja”, presidenti Rubiales do ta fillojë nga një emër i fortë ringritjen.
Luis Enrique pëlqehet për këtë, sepse është i ri, por tashmë ka një eksperiencë të gjerë ndërkombëtare.
Gjithashtu, në Barcelonë, tekniku ka treguar se mund të menaxhojë një dhomë zhveshjesh me plot kampionë, sikurse është ajo e kombëtares së Spanjës.
Pra, sot, Rubiales duhet të propozojë emrin e Luis Enrique, që ka mundur konkurrencën e Quique Sanchez Flores, Michel dhe trajnerit aktual të Belgjikës, Roberto Martinez.
Sezonin e kaluar, Luis Enrique e bëri pushim, pasi u largua nga stoli i Barecelonës me nëntë tituj të fituar në tri vite, 2014-2017, si trajner në “Camp Nou”.
Më parë, trajneri në fjalë ka trajnuar Celta Vigo, Roma dhe Barça B.
a.s/dita
