Specializimet në mjekësi, Komisioni i Shëndetësisë shpërthen në debate

redaktor

Procedurat në përzgjedhjen e kandidatëve që fituan të drejtën për të ndjekur studimet e specializimit në një nga profilet mjekësore ndezën debate të shumta në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, ku ishin të pranishëm për të raportuar rreth procesit ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, dhe i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Përfaqësuesit e së djathtës në komision kanë ngritur akuza të shumta për abuzime në përzgjedhjen e kandidatëve, pretendime të cilat janë kundërshtuar nga dy ministrat e pranishëm. Deputetja Albana Vokshi, ka deklaruar se 50 kandidatë që morën pjesë në këtë garë, kanë hartuar një peticion ndaj parregullsive të konstatuara në procesin e përzgjedhjen e kandidatëve fitues.

Duke kundërshtuar zërat për parregullsi në procesin e konkurrimit, ministrja Nikolla ka theksuar se është e gatshme që të japë dorëheqjen, në rast se provohen shkeljet e pretenduara nga anëtarët e këtij komisioni.

Gjatë vijimit të seancës dëgjimore, dy ministrat konfirmuan se janë paraqitur vetëm 46 ankimime nga kandidatët në lidhje me rishikimin e vlerësimeve. Sipas tyre, pikët e fituesve të përzgjedhur në programet e caktuara të specializimeve shkojnë nga 750 deri 900. “Procesi ishte transparent, dhe është realizuar për herë të parë nën kushte të rrepta sigurie. Procesi i zhvilluar ka arritur të largojë nepotizmin dhe korrupsionin e shumëpërfolur në vite.

Në Agjencinë Kombëtare të Provimeve ka pasur zero animime për parregullsi. Jo pa qëllim intervista me gojë e kandidatëve u la që të zhvillohet para testimit, për të mos ndikuar më pas në rezultatin përfundimtar.

Pretendimet se në proces janë përfshirë kandidatë pa specializimin përkatës janë të pavërteta. Janë pranuar të gjitha dokumentet. Nëse ju si komision, provoni të kundërtën, atëherë unë largohen e turpëruar nga detyra ime si ministre e Arsimit.

Për të bërë transparent procesin janë detajuar para nisjes së testimit edhe 5 mijë pyetjet zyrtare, nga ku janë përzgjedhur pyetjet finale të testit që ka plotësuar secili nga kandidatët e përfshirë në garën e specializimeve”, ka pohuar Nikolla. Më tej, edhe ministri Beqaj ka sqaruar se në listat e fituesve nuk është pranuar asnjë kandidat pa licencën profesionale të mjekut. E kjo, sipas tij është lehtësisht e vërtetueshme.

Nga ana tjetër, ministri Beqaj tha se përmes këtij procesi u përcaktuan mungesat e mjekëve specialistë në Tiranë e në rrethe. “180 kuota u shpërndanë nëpër rrethe. U përmirësua kontrata e mjekut specializant me Ministrinë.

Procesi do të vijojë me një fazë të dytë në shtator për të realizuar kuotat”, theksoi Beqaj. Autoritetet shëndetësore kanë rikujtuar edhe një herë penalitetet që do të ndërmerren në rast të shkeljes së kushteve të përcaktuara në kontratë nga specializanti i përzgjedhur.

“Me përfundimin e procedurës së emërimit të mjekut të specializuar, kandidati i përzgjedhur është i detyruar që të paraqitet në punë brenda 30 ditëve nga data e emërimit. Në rastet kur mjeku nuk paraqitet në punë, si dhe kur shmanget nga ky detyrim pa plotësuar një periudhë minimale prej 3 vitesh pune, detyrohet t’i kthejë Ministrisë së Shëndetësisë pesëfishin e shumës së pagave të marra gjatë kohës së specializimit, shumë e cila arrin në vlerën 2 milion lekëve.

Për rastet e ndërprerjes të periudhës së studimeve dhe të ndërprerjes së parakohshme të periudhës së detyrueshme të punës në kundërshtim me parashikimet e kontratës, mjekut i ndalohet të konkurrojë për punësim në strukturat shëndetësore publike për një periudhë 5 vjeçare”, kushtëzohet në kontratat që po lidhen ndërmjet kandidatëve të shpallur fitues dhe dikasterit të shëndetësisë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *