Specializimet në mjekësi/ Nesër afati i fundit për dorëzimin e dosjes

Ornela

Dita e nesërme shënon edhe mbylljen e aplikimeve për kandidatët që garojnë për kuotat e specializimeve afatgjata në mjekësi për vitin akademik 2018-2019.

Deri në përfundim të datës 15 shkurt, të gjithë kandidatët e interesuar për një nga 309 kuotat e miratuara për pranimet e këtij viti akademik, duhet që të dorëzojnë dosjen e dokumenteve të kërkuara, e cila përbën edhe fazën e parë të konkurimit. Dosja duhet të ketë detyrimisht dokumentet e detajuara në vijim të shkrimit.

Mungesa e një prej këtyre dokumenteve listohet si kriter kualifikues, çka do të thotë se kandidati nuk mund të vijojë më tej dy fazat e tjera të përzgjedhjes që janë intervista me gojë, si dhe testimi i informatizuar.

Në udhëzimin e shpallur më herët nga Universiteti i Mjekësisë bëhet e ditur se kuotat e pranimit për programet e ciklit të tretë të studimeve me kohë të plotë do të jenë në total 309. Këto kuota ndahen në: 80 kuota pranimi për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 196 kuota të lira, 2 kuota për Ministrinë e Brendshme, 20 kuota pranimi për Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe 11 kuota pranimi për Ministrinë e Drejtësisë.

Në përfundim të aplikimeve, dekanatet pas kryerjes së verifikimeve shpallin brenda datës 25 shkurt listën përfundimtare të kandidatëve, si dhe kalendarin e zhvillimit të intervistave me gojë dhe testimit të informatizuar. Datat e zhvillimit te testimit të informatizuar konsultohen me Qendrën e Shërbimeve të Arsimit lidhur me disponibilitetin për zhvillimin e testimit të informatizuar.

Shpallja e fituesve do të bëhet nga pikët finale që kandidati do të sigurojë nëpërmjet mesatares së studimeve, intervistës me gojë, si dhe testit të informatizuar.

Programet e studimeve të specializimeve afatgjatë përfshijnë kuota pranimi për specialitetet në Alergologji, Anatomi patologjike, Anestezi-reanimacion, Dermatologji, Endokrinologji, Gastrohepatologji, Hematologji, Diagnozë me imazhe, Kardiokirurgji, Kardiologji, Kirurgji e përgjithshme, Kirurgji maksilo-faciale, Laborator klinik-biokimik, Mikrobiologji, Mjek familjeje, Mjekësi interne, Mjekësi ligjore, Nefrologji, Neurologji, Neurokirurgji, ORL, Obstetrikë-gjinekologji, Okulistikë, Onkologji, Ortopedi-traumatologji, Pediatri, Pedodonti, Pneumonologji, Psikiatri, Psikiatri e fëmijëve dhe e adoleshentëve, Reumatologji, Sëmundje infektive, Shëndet publik, Terapi stomatologjike, Toksikologji klinike, si dhe stomatologji (kirurgji orale, kirurgji maksilo- faciale, protetika fikse, protetika të lëvizshme, protetika kirurgjikale, ortodonci periodontologji).

Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim është:

  • Formular aplikimi, sipas modelit të përcaktuar.
  • Letër motivimi i/e aplikantit.
  • Fotokopje e dokumentit të identifikimit të vlefshëm, kartë identiteti ose pasaportë.
  • Kopje e njësuar me origjinalin në Republikën e Shqipërisë e diplomës universitare, të programit të ciklit të dytë të studimit “Master i Shkencave”, ose të programit të integruar të studimeve të ciklit të dytë, dhe listave të notave.
  • Për rastet e diplomave të huaja paraqitet kopje e njësuar me origlina1in e vërtetimit të njohjes në Republikën e Shqipërisë, e shoqëruar me diplomën dhe listën përkatëse të notave, ose të një dokumenti tjetër të vlefshëm për regjistrimin në universitet në vendin ku janë kryer studimet, të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë përkatës.
  • Në rast se njohja e diplomës nuk ka përfunduar ende, kandidati paraqet vërtetim që ka dorëzuar dokumentacionin për njohje në MASR, dhe duhet të dorëzojë dokumentin e njohjes jo më vonë se data e parashikuar për testimin e informatizuar, si dhe përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar nga Komisioni i Vlerësimit.
  • Kopje e njësuar me origjinalin në Republikën e Shqipërisë e dokumentit që vërteton njohjen e gjuhës së huaj, sipas përcaktimit në rregulloren përkatëse të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë përkatësisht “Të zotërojë të paktën një nga gjuhët e huaja (anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht) në nivelin B2, si kriter minimal në programet e studimit të ciklit të tretë të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, me kusht që afati i fundit për paraqitjen e shlyerjes së gjuhës së huaj në nivel C1, sipas akteve nënligjore në fuqi, për këtë kategori studentësh të jetë përpara përfundimit të vitit të parë akademik të programit përkatës.
  • Fotokopje e noterizuar e licencës për ushtrimin e profesionit në Republikën e Shqipërisë dhe e dëshmisë së regjistrimit në Urdhrin profesional përkatës.
  • Dëshmi penaliteti e vlefshme.
  • Mandat pagesa për tarifën e konkurrimit prej 5,000 lekë.
  • Kandidatët që aplikojnë për kuotat e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Brendshme, dorëzojnë një letër mbështetëse të ministrisë përkatëse sipas formatit të parashikuar.
  • Dy foto personale.
  • Afati i dorëzimit të dokumentacionit në fakultetet përkatëse është deri më datë 15.02.2019.

p.k/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *