Specializimet tek mjekësia, peng i vendimit të Qeverisë

anazapta

Specializimet tek Mjekësia mbeten peng i procedurave. Me qindra studentë të diplomuar në profile të ndryshme mjekësore prej muajsh janë në pritje të nisjes zyrtare të procedurave për të ushtruar të drejtën e ndjekjes së specializimeve në Qendrën Spitalore të QSUT-së (teksa pak më herët ekspertët e dikasterit të shëndetësisë menduan që këto specializimeve gjatë këtij viti të shtrihen edhe në spitalet rajonale të vendit).

Nisja e konkurrimeve zyrtare për këto specializime ka mbetur peng i vendimit të Këshillit të Ministrave në lidhje me kuotat dhe detajet konkrete se si zhvillohet përzgjedhja e kandidatëve fitues që do të mund të vijojnë kualifikimet përkatëse në shërbimet spitalore. Në një aktivitet të zhvilluar dje, drejtuesit e strukturave universitare të Mjekësisë kanë deklaruar se Qeveria ende nuk ka dërguar pranë tyre shkresën përkatëse në lidhje me kuotat e specializimeve. Ndërkohë që  aplikimet e dorëzuara për këto specializime pohohet të kenë qenë të shumta.

Gjatë këtij aktiviteti dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa, edhe pse nuk ka dhënë detaje lidhur me afatet kohore për zbardhjen e listës së specializantëve, ka vënë në dukje faktin se janë në pritje të vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili krahasuar me aplikimet e bëra në vitet e shkuara, kësaj radhe është shumë i vonuar.

Specializimet e zhvilluara rreth dy vite më parë u shoqëruan me debate të ashpra për parregullsi, korrupsion dhe lëvizje emrash në listën e fituesve. Një tjetër shqetësim i konstatuar gjatë këtij aktiviteti është edhe procedura e ndryshimit të drejtuesve të rinj në shërbimet mjekësore të QSUT-së, për të cilën pohohet të ketë pasur ankesa të shumta.

Kjo pasi të pakënaqurit nga konkursi për zgjedhjen e shefave të shërbimit janë ankuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me problemet e konstatuara gjatë përzgjedhjes së drejtuesve të rinj. Nga 58 shërbime të QSUT-së, 14 shefa nuk e kanë marrë ende detyrën, ku për shkak të ndryshimeve të bëra në Ministrinë e Shëndetësisë nuk është firmosur shkresa zyrtare e tyre.

Kundrejt ankesave të bëra, rektorja e Universitetit të Mjekësisë Jera Kruja bën të ditur se do të ketë përsëritje të zgjedhjeve në një pjesë të shërbimeve të QSUT-së, pasi numri i ankimimeve të bëra në to ka qenë i lartë. Të gjitha këto detaje janë bërë publike në kongresin e shkencave Bio-Mjekësore, të zhvilluar dje nga Universiteti i Mjekësisë, ku studentët dhe ekspertët e universitetit janë ndalur në diskutimet mbi risitë që ky universitet mund të ofrojë në drejtim të zhvillimit të kësaj shkence.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *